Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, konfirmon se biznesmeni Kosta Trebicka, ka humbur jetën në Korçë në një aksident me Makinën e tij përgjatë rrugës që lidh zonën malore të Voskopojës me Lekasin.
Bujar Nishani: “Në vendin e quajtur Urat e Gjergjevicës është parë një makinë e batuar nga rruga dhe një shtetas i vdekur. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes, janë nisur dhe kanë mbërritur drejtues dhe specialist të policisë së qarkut Korçë të cilët kanë identifikuar dokumentat e automjetit ku kanë konstatuar se ky automjet i përket shtetasit Kosta Trebicka”.
Makina e tipit Nisan e Kostës me targa të Tiranës 8843 J. Kjo që po shihni në këtë pamje ekskluzive, ka dal nga rruga dhe është rrokullisur disa herë. Biznesmeni është gjetur pak minuta pas ngjarjes rreth orës 14:00 nga disa banorë të zonës ende në jetë, ndërsa makina e tij ende e ndezur. Grupi i xhirimit të TV Klan në Korçë ka mbërritur në vendngjarje afro 1 orë pas marrjes së lajmit për gjetjen e një trupi pa jetë.
“Ne po bëjmë gati 1 orë e ca këtu. Po të jetë në rregull thotë merreni poshtë”.
Gazetarja: “Po jam e informuar në lidhje me këtë aksident rreth orës 13:45 minuta, nga disa banorë të zonës së Voskopojës të cilët më kanë informuar se në rrugën e Lekasit që lidh Voskopojën me fshatin e thellë malorë të Korçës që është Lekasi, është gjendur një burrë i vrarë, burri mendohet të ishte rreth të 40-ve dhe mësova gjithashtu që ai ishte duke udhëtuar më një makinë. Ndërkohë që në momentin që ka mbërritur grupi i xhirimit makina ishte ende e ndezur”.
Sonila Meço: Ishte ende ndezur?
Gazetarja: “Ishte ende ndezur dhe nuk dukej se ishte shumë e dëmtuar përveçse asaj goditje që kishte pësuar në xhamin e përparmë të makinës dhe duket të ishin nga rrokullisjet. Viktima që ishte gjendur në mes të rrugës, deri para pak momente se të mbërrinin në vendngjarje merrte ende frymë”.
Policia fillimisht ka konfirmuar se bëhet fjalë për një aksident, por duke thënë se duhet ende kohë për një përgjigje përfundimtare mbi rrethanat e ngjarjes. Ministri Nishani sqaroj se një grup hetimor në krye të të cilit është vënë prokurori Sokol Stojani, po punon për zbardhjen e tyre.
Bujar Nishani: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit, ka kontaktuar me Prokurorinë e Përgjithshme dhe në drejtim të vendit ngjarjes janë nisur grupe ekspertësh kriminalist, mjekoligjor dhe auto teknik si dhe një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme për të koordinuar dhe kontrolluar veprimet hetimore. Në vendin e ngjarjes janë kryer filmimet dhe fotografimet përkatëse, ka filluar këqyrja e vendit ngjarjes e mjetit, e kufomës dhe të gjithë sendet dhe provat materiale të gjetura në vendngjarje. Nga tërësia e veprimeve të para u bë identifikimi i kufomës që i përket shtetasit Kosta Trebicka”.
Sipas versionit të policisë së Korçës mjeti tip kabriolet me të cilin viktima gjendej vetëm, ka dal nga rruga pas një frenimi të fortë.
Gazetarja: Grupi i policisë ka vrejtur që makina ka frenuar në momentin që para se të rrokulliset makina ka frenuar dhe në pjesën e rrugës janë vrejtur dhe gjurmë të gomave, çfarë të bën të kuptosh që makina ka humbur kontrollin. Pasi janë gjurmë të forta gomash që do të thotë që makina mund të ketë tentuar të frenoj por nuk ka mundur”.
Trupi i pajetë i viktimës ka mbetur në mes të rrugës për disa orë me radhë, ndërsa automjeti është gjendur 20 m larg tij. Trebicka mbante veshje gjuajtje dhe pranë tij është gjendur një armë gjahu që ai e mbante me leje.
Ai ishte dëmtuar në fytyrë dhe në pjesën e pasme të kokës si pasoj e përplasjes së makinës gjatë rrokullisjes. Dëmtimet në fytyrë e kanë vështirësuar procesin e identifikimit, por mbërritja e familjarëve të biznesmenit në vendin e ngjarjes ka shuar çdo dyshim. Trupi i tij është dërguar në morgun e Korçës rreth orës 19:30 dhe do t’i nënshtrohet autopsisë e cila pritet të sqaroj rrethanat e ngjarjes.
Bujar Nishani: “Me marrjen e njoftimit mbi këtë çështje, është njoftuar kryeministri i vendit i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejt, të plotë dhe…”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani