Të gjitha lejet profesionale apo licencat do të mund të merren pranë një zyre të posaçme. Ministri i Ekonomisë Genc Ruli ka zbuluar planin e ri të qeverisë për hapjen e zyrës kombëtare të licencave. Një zyrë e ngjashme me atë të regjistrimit të bizneseve pritet të konkretizohet brenda këtij viti, duke i ardhur në ndihmë biznesit nëpërmjet shmangies së burokracisë.
Një hap i tillë merret vetëm pak kohë pasi qeveria ka liberalizuar licencat, duke i reduktuar ato me 70%.
Genc Ruli: “Duke i ndjekur modelet e suksesshme të disa vendeve do të përqendrohet në një qendër të re. Shumë e ngjashme me qendrën kombëtare të regjistrimit, por që do jetë qendra kombëtare e licencimit. Në të cilën me praktika shumë të shpejta, me afate optimale të aplikimit dhe të plotësimit të kërkesës, njerëzit, biznesmenët do të pajisen që nga lejet profesionale me licencat.”
Kjo deklaratë erdhi gjatë prezantimit të punës 6 mujore të qendrës kombëtare të regjistrimit. Ministri Ruli pasi ka vlerësuar avantazhet që i ka sjellë biznesit ngritja dhe funksionimi i kësaj qendre. Një fakt i certifikuar tashmë edhe nga banka botërore ka theksuar se një hap i tillë duhet të ishte hedhur vite më parë.
Ndërkaq drejtori i QKR-së tha se gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë kryer gati 50 mijë aplikime pranë sporteleve në të gjithë vendin dhe se janë regjistruar 13 mijë biznese të reja apo dy herë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Tom Kola: “Që nga fundi i vitit 2007 ne arritëm të mbyllim problematikën kryesore që ishte edhe ajo që pengonte më tepër në punën e përditshme në QKR. Dhe njëkohësisht u arrit edhe një shtim i stafit.”
Sportelet “One stop shop” janë prezente në 11 bashki të vendit, duke mundësuar regjistrimin e biznesit në një ditë të vetme kundrejt tarifës prej 100 lekësh./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro