Gabime të brendshme të Bankës Botërore nuk mund të penalizojnë projektin e rëndësishëm të menaxhimit të integruar të bregdetit të jugut. Kështu është shprehur ministri i financave Ridvan Bode edhe vetë BB kërkon vijimin e projektit.

Ridvan Bode: “Bordi i guvernatorëve pranon një sërë gabimesh të bërë gjatë gjithë ciklit të projektit përfshirë përgatitjen e projektit, paraqitjen e tij në bord dhe mbikëqyrjen si dhe përgatitjen e përgjigjes së parë të ekipit të menaxherëve në shtator të vitit 2007. Bordi i guvernatorëve i kërkoi menaxhimit të bankës që projekti të vijojë duke bërë një ristrukturim vetëm për njërin prej komponentëve nga 6 komponentë që ka projekti.”

Ministri Bode ka theksuar se qeveria do të marrë përsipër dëmshpërblimin e të gjitha rasteve kur është cenuar ligji.

Ridvan Bode: “Qeveria shqiptare mbetet e hapur për të trajtuar sipas ligjeve shqiptare të gjithë ata individë të cilët pretendojnë që ndërtimet e tyre janë prishur në dhunim me ligjin shqiptar.”

Numri një i financave i ka cilësuar si të pabaza pretendimet e opozitës në lidhje me prishjet e ndërtimeve në Jalë.

Ridvan Bode: “Të gjitha akuzat, tullumbacet e ngritura nga opozita e përdorur nga grupe të caktuara, pëlcet përpara tyre dhe nuk është rasti i parë, opozita vetë shpif dhe vetë mundohet të besojë shpifjet e veta, është e disata herë që dështon në mënyrë publike me akuzat e saj. Sikur këtë gjë ta thoshte qeveria shqiptare nuk do të ishte e besueshme, por është i dyti rast që kjo konfirmohet nga institucionet të besueshme ndërkombëtare si në rastin e të ndjerit Trebicka edhe në këtë rast kanë qenë institucionet ndërkombëtare që janë shprehur në mënyrë të qartë e publike duke e nxjerrë opozitën një opozitë tërësisht destruktive.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro