Shqipëria ka siguruar një kredi prej 250 milion eurosh përmes një tenderi ndërkombëtar ku morën pjesë shtatë banka të huaja.

Ministri i Financave, Bode, e cilësoi marrjen e këtij financimi si patentë sigurie dhe besimi për ekonominë shqiptare.

Ridvan Bode: “Shqipëria është ndër të rrallat vende që ka mundur në këtë periudhë të krizës financiare botërore të dalë në tregun ndërkombëtar me sukses dhe të mund të sigurojë një ofertë, të mund të marri kredi. Kjo përbën një instrument shumë të përshtatshëm për të kapërcyer problemet, impaktet e mundshme të krizës financiare botërore edhe në ekonominë e vendit tonë.”

Ofertën më të mirë e dha Deutsche Bank së bashku me Alpha Bank, por duke qenë se shuma e ofruar mbulon vetëm 70% të nevojës së qeverisë shqiptare për borxh do të përfshihen edhe bankat e tjera në formën e një kredie sindikatë.

Borxhi do të destinohet për financimin e veprave publike sidomos rrugës Kalimash-Morinë.

Numri një i financave theksoi se ky borxh do të ndihmojë dhe në forcimin e monedhës vendase pasi futet valutë nga jashtë.

Ridvan Bode: “Po marrim një kredi rreth 250 milion euro që pikërisht synon që të mos impaktojë kursin e këmbimit në tregun financiar dhe kemi një sërë masash të tjera të ndërmarra në kuadrin e nxitjes së drejtpërdrejt të aktiviteteve prodhuese, të cilat po ashtu do të ndihmojnë dhe do të fasilitojnë bizneset që të mos preken nga kriza, pra është një bllok reformash, është një bllok masash dhe fondesh që ne kemi në dispozicion të krizës.”

Ministri Bode komentoi dhe studimin e fondit të FMN-së ku vendi ynë përfshihet mes 26 ekonomive të rrezikuara nga kriza.

Ridvan Bode: “Dhe jemi në këtë grup për shkak se deri në Janar ne kemi qenë në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta. Jemi klasifikuar në këtë grup deri në Janar. Tani në kohë krize dolëm nga ai grup i varfër dhe u futëm në grupin me të ardhura mesatare. Konsideratat do të jenë të tjera dhe analizat do të jenë të tjera, por përfundimisht analiza e vitit të kaluar na ka mbajtur në atë grup”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro