Lajme Arkiva 2003

Ministri i Rendit Luan Rama ka shkarkuar drejtorin e policisë Lezhë Gjovalin Loka duke faturuar te forcat e Rendit të këtij qarku pjesën kryesore të përgjegjësive për ngjarjet e fundit. Në Lezhë policia ka vepruar në emër të interesave të planeve nepotike, ka akuzuar kreu i rendit.

Luan Rama: Drejtoria e policisë së qarkut te Lezhës ka përgjegjësi për mos administrimin si duhet të të gjithë dosjes së veprimtarisë, jo vetëm të autorit të vrasjes së komisarit Gani Malushi, por për të gjithë administrimin e problematikës që lidhet me veprimtarinë e njerëzve të implikuar, me veprimtarinë e individëve dhe grupeve kriminale. Midis jush janë ata që ditën flasin në emër të ligjit dhe natën flirtojnë me abuzuesit e ligjit. Midis jush janë ata që ditën nuk përtojnë të shiten para shefave si të devotshëm në zbatimin e ligjit dhe natën shkojnë dhe në mënyrën më të turpshme dekonspirojnë apo shesin edhe kolegët e tyre. Nga inspektori i krimeve në Mirditë, inspektor krimesh këtu, deri te inspektor krimesh bën të tre komisariatet e policisë së qarkut të Lezhës, të implikuar në përpilime dhe dhënie dëshmish penaliteti të falsifikuara. Kush nuk ndihet i aftë të ballafaqohet me ligjin në shërbim të qytetarëve, le të ikë që tani. Ka qytetarë dhe djem në nënash nga Mirdita, nga Lezha dhe nga e gjithë Shqipëria që janë të gatshëm të vijnë të shërbejnë me përkushtim.

Në krye të policisë së këtij qarku është emëruar Xhavit Shala, pas disa nisma kundër trafiqeve dhe kundër kultivimit të lëndëve narkotike, komisari Xhavit Shala prej shumë muajsh ishte lënë në dispozicion në pritje të një detyre tjetër, ndërsa menjëherë pas emërimit Rama ka kërkuar prej tij që deri të jenë marrë të gjitha masat ligjore ndaj të implikuarve në qarkun e Lezhës.

Kështu tre javë pas vrasjes së Gani Malushit dhe shoferit të tij ministri Rama ka vijuar turin e ndëshkimeve në rrethe duke kundërshtuar zërat që kërkojnë përgjegjësinë e situatës së rënduar në drejtimin e dikasterit të rendit./tvklan.al