Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura organizuan konferencën kombëtare të marrëdhënieve civilo-ushtarake.

I pranishëm ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili tha se zhvillimi i marrëdhënieve civilo-ushtarake na çon më pranë praktikave dhe vlerave evropiane dhe euroatlantike.

Arben Imami: “Një raport i mirë midis forcave të armatosura dhe publikut në tërësinë e tij në gjerësinë e tij, do të bënte të mundur që publiku të kishte një perceptim më të mirë më të qartë, më të plotë dhe më të drejtë mbi gjendjen të cilën janë forcat tona të armatosura, mbi detyrat që ata faktikisht kryejnë, mbi nivelin e punës së tyre, të operacioneve ku ata marrin pjesë dhe në veçanti të rëndësisë që kanë forcat tona të armatosura në kuadrin e aleancës dhe në këtë kuptim për sigurinë e vendit dhe më gjegjësisht për politikën e jashtme të këtij vendi.”

Kjo konferencë e para e këtij lloji në vend synon të ofrojë një forum diskutimesh mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë në zhvillimin e një dialogu të mëtejshëm në fushën e sigurisë dhe arritjen e standardeve evropiane./tvklan.al