Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan u shpreh se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë goditur partitë e vogla. Milo tha se ligji i 2008-ës donte të ekzekutonte partitë e vogla, e shton se ai ka dhe partia e tij ka vuajtur për shkak të marrëveshjeve të partive të mëdha.

Kreu iu PDS thotë më tej se PS i përdori aleatët e vegjël dhe tani i ka fshirë. “Pse tani po e bën PS këtë që bën. Sepse s’ka më parti të majtë, edhe unë mezi po mbahem, me shpirt në dhëmbë, po mbahem”, shtoi ai.

Blendi Fevziu: Më the kë kërkoje ta shpjegoje këtë pabarazinë që shpjegoi Manja pak më parë. Që ti më vete nuk dilje deputet, Shehi, në listën e PD del deputet

Paskal Milo: Zoti Manja ka një të drejtë, që Demokracia Sociale me forcat e veta gjithnjë ka marrë mbi 10 mijë vota, rreth 12 mijë vota.

Blendi Fevziu: Që janë të mjaftueshme sot në nivel kombëtar.

Paskal Milo: Po. Po të ishte ai sistem që kishim deri në 2008-n, unë do të vazhdoja të isha edhe këto 3 legjislatura, deputetë. Por falë PS dhe PD, unë jam jashtë parlamentit. Pikërisht se këta të dy, një natë të bukur Prilli, në mënyrë krejt të fshehtë… kemi qenë vetëm 7 veta që kemi votuar kundër atë natë, sepse e pamë që ishte një ligj që donte të ekzekutonte partitë e vogla.

Blendi Fevziu: Peshku i madh ha të voglin, e njohim…

Paskal Milo: Peshkaqenët e politikës, jo peshku…

Blendi Fevziu: Dhe ju hëngrën.

Paskal Milo: Na hëngrën, për meritë të tyre, të bashkëpunimit, dhe tani që të dy këto partitë e mëdha. Më fal që po flas nga pozicioni i qendrës i një partie të vogël që e ka vuajtur këtë marrëveshje të fshehtë që ju bëtë atëherë dhe që rrjedhojat e asaj marrëveshjeje të fshehtë i është kthyer në bumerang PD që e bëri atëherë. Pikërisht këto gjëra që po ndodhin tani dhe këtë superioritet që ka mazhoranca aktuale, ajo e menaxhon situatën, qoftë të sistemit që nuk do.

Blendi Fevziu: Po kur u bënë ndryshimet në 2008-n, u la që dominonin koalicionet jo partitë e vetme, ku ishte thelbi.

Paskal Milo: Nëse donin barazi të dy partitë e mëdha, drejtësi dhe zgjedhje të ndershme, le ta bënin proporcional kombëtar dhe jo proporcional rajonal, ajo është barazi. Ju këtë nuk e bëni, përse? Sepse nuk doni ta bëni.

Blendi Fevziu: Por kjo iku tani.

Paskal Milo: Jo jo të lutem, ishim në kohën e ndryshimeve.

Blendi Fevziu: Nga sot nuk jemi më, iku.

Paskal Milo: Unë i them zotit Manja, pavarësisht se jemi afër këtu që po diskutojmë, po kemi qenë afër edhe në beteja elektorale. Jo për fajin tonë, PS e zhbëri aleancën e majtë, që nga 2013-ta për herë të fundit kur nga shfrytëzoi dhe mori mbi 100 mijë vota nga të gjithë ne dhe erdhi në pushtet. Pas asaj mori pushtetin dhe na fshiu neve. Pse tani po e bën PS këtë që bën. Sepse s’ka më parti të majtë, edhe unë mezi po mbahem, me shpirt në dhëmbë, po mbahem. S’ka më, më kuptoni. Kështu që, prandaj PS tani ka nxjerrë parullën, e Aleancës me qytetarët, me popullin sepse nuk ka më parti që të bëjë aleancë. Dhe ndodh kjo që po ndodh./tvklan.al