Jemin Gjana, Ministër i Bujqësisë në qeverinë Berisha, e sheh si një proces normal rikthimin e Genc Pollos në Partinë Demokratike, shoqëruar me shkrirjen e Partisë Demokrate të Re.
Madje Gjana thotë se Pollo nuk kishte asnjë arsye të fortë për të cilën braktisi rreth dhjetë vjet më parë Partinë Demokratike.
Jemin Gjana: “Ajo çfarë mund të them me siguri si një njeri që nuk është larguar kurrë nga strukturat e Partisë Demokratike e konsideroj që edhe largimet nuk kanë qenë largime të motivuara. Bashkimet mund të jenë më të motivuara sesa largimet. Nuk kam gjetur kurrë arsye të largimit.”
Mundësia e shkrirjes së PDR-së me PD-në rindezi debatin se cilat parti të spektrit të djathtë do të vepronin në të njëjtën mënyrë apo do të ridimensiononin në formën e federatës marrëdhëniet me partinë më të madhe që qeveris vendin.
Partia Republikane deklaroi qartë se përjashton mundësinë e shkrirjes, por mbështet idenë e federatës, një kërkesë kjo e hershme e saj.
Gjana thotë gjithashtu se marrëdhëniet mes aleatëve të djathtë duhen rikonceptuar.
Jemin Gjana: “Ristrukturimi, modaliteti i funksionimit të së djathtës, të strukturave të djathtës, partive politike të së djathtës qoftë në një proces shkrirje të brendshme të disa prej tyre, qoftë një problem, një modalitet të ndërtimit të një strukturimi më funksional do të jenë të domosdoshme. Veçanërisht po të kemi parasysh dhe faktin që pas, po them dy dekadash tashmë, mendoj që duhet të themi dy dekada tashmë, Shqipëria për herë të parë i largohet sistemit mazhoritar elektoral dhe për herë të parë do të aplikojë në 2009-tën sistemin proporcional. Modelin dhe modalitetet janë tek të tjerët, janë tek e djathta franceze, kanë qenë tek e djathta italiane, janë tek e djathta italiane në një formë tjetër, pra nuk është se mungojnë modelet”.
Dy ditë më parë kryeministri Berisha deklaroi qartë se mbetet i hapur të diskutojë të gjitha opsionet me aleatët duke mos përjashtuar asnjë formë të bashkëpunimit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi