Ndryshimet që kjo mazhorancë i bëri Shqipërisë nga jugu në veri, ndryshimi i imazhit të saj është sot i vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga udhëheqës dhe përfaqësues të popullit nga vendet dhe demokracitë më të fuqishme të botës.
Kështu u shpreh Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në takimet që zhvilloi me banorë të komunave Pajovë, Papër si dhe në fshatin Katund i Ri të komunës Bradashesh.
Kryediplomati shqiptar solli si shembuj konkretë deklaratat e ish-presidentit Bush, presidentit Obama, presidentit Sarkozi, kancelares Merkel, kryeministrit Berlusconi e të tjerë, të cilët siç nuk ndodh shpesh u shprehën krenarë për arritjet e Shqipërisë e deri tek kongresmeni Elliot Engel, që e krahason vizionin e kryeministrit Berisha për infrastrukturën me atë të presidentit Ajzenhauer.
Lulzim Basha: “Se katër vite më përpara askush nuk e besonte se pa zbuluar naftë, pa konferencë donatorësh, pa miniera floriri do të mblidhnim katër miliard dollarë më shumë, të cilat do t’jua rikthenim shqiptarëve me mbi 3 mijë kilometra rrugë, mbi 600 ujësjellës, mbi 1 mijë kanalizime, mbi 1 mijë shkolla, me pensione dhe rroga të rritura. Miku 25-vjeçar i shqiptarëve, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, do ta përshkruante si një rrjet infrastrukturor i ngjashëm për kohë dhe për frymë, atë që ndërtoi presidenti Ajzenhauer në vitet ’50 dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, si Ajzenhaurin e shqiptarëve.”
Basha ka përsëritur premtimin e kësaj mazhorance se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen.
Gjithashtu ai sulmoi kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për mënyrën korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit duke thënë se e vetmja arsye se përse Rama kërkon pushtetin është abuzimi me të./tvklan.al