Procesi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO po ecën me ritme të shpejta dhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, do të ftohet nga sekretari i përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer në fund të muajit Shkurt në Bruksel për të marrë pjesë në takimin përgatitor të samitit të Prillit.
Gjatë takimit u diskutua dhe mbi reformat e ndërmarra në Shqipëri si dhe për kodin elektoral.
Lulzim Basha: “Sekretari i përgjithshëm sigurisht është i informuar mbi këto zhvillime dhe në kanalet e tjera diplomatike tonat këtu apo të tyret dhe i vlerësoj me nota maksimale përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe institucioneve shqiptare për të ecur përpara në të gjitha reformat. Diskutuam gjerësisht për disa nga raportet e fundit ndërkombëtare, të cilat e vlerësojnë progresin e Shqipërisë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor në reformat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai, dëshmoi se NATO vlerëson ecurinë e deritanishme të Shqipërisë në përmirësimin e klimës ndaj biznesit, miratimin e kodit elektoral dhe shpenzimet buxhetore të parashikuara për mbrojtjen.
James Appathurai: “Qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm dhe i NATO-s është shumë pozitiv. Kodi elektoral kaloi dhe ka mbështetjen ndërkombëtare. Në shpenzimet për mbrojtje synohet 2% e PBB-së, reformat në ekonomi, investimet dhe e gjithë klima kundër korrupsionit po shkon në drejtimin e duhur dhe sekretari i përgjithshëm përshëndeti këtë sjellje. Po ashtu është e vërtet se Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm në rajon për stabilitetin e tij. Natyrisht që duhet të vazhdojmë reformat e ato besoj se do të vijojnë, por e dimë që janë në shinat e duhura.”
Në takim palët ranë dakord për rëndësinë e shtrirjes së misionit EULEKS në të gjithë territorin e Kosovës dhe zbatimin e planit Ahtisarit nga autoritetet kosovare./tvklan.al