Ministri i Energjetikës Dritan Prifti hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Partia Socialiste për keqmenaxhim të kaskadës së Drinit dhe shkeljes së rregullores për digat. Në një dalje të posaçme për shtyp ai sqaroi se hapja e portave të hidrocentraleve u krye konform rregullores së parashikuar.

Dritan Prifti: “U shpif se komisioni i posaçëm nuk u ngrit. Atë ditë që ne kemi filluar shkarkimet, prurjet në Fierzë kanë shkuar mbi 1100 metër kub në sekondë dhe sipas rregullores, këta specialist të zotët të cilët kanë drejtuar sekretariatin teknik dhe grupin e punës, kanë lejuar atë që lejon rregullorja, pra që Fierza të akumulojë pak më shumë brenda nivelit të rregullores për mos të përkeqësuar dhe për mos të shkaktuar përmbytje të jashtëzakonshme për zonën e Shkodrës”.

Pretendimet e opozitës për mungesën e tij jashtë vendit në kohën e nisjes së përmbytjeve, Prifti i quajti abuzive, duke thënë se për udhëtimin e tij në Turqi, kishte marrë lejen e kryeministrit.

Dritan Prifti: “Unë kam qenë disa herë në Turqi gjatë muajit dhjetor për arsye familjare shëndetësore me leje të kryeministrit. Edhe sot që flasim babai dhe nëna ime janë në Turqi, sepse dje babai im ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale, por unë nuk kam moralin e Edi Ramës, që kthehet në Shqipëri vetëm për ta varrosur babanë. Nuk kam moralin e Edi Ramës ta nxjerr nënën në mes të natës më shqelma nga shtëpia. Nuk kam moralin e Edi Ramës të braktis familjen në mënyrën si e ka braktisur ai”.

Prifti tha, se menaxhimi me përgjegjshmëri i kaskadës së Drinit evitoi një katastrofë me pasoja të pa parashikuara./tvklan.al