Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka premtuar shumëfishim të nivelit të kredisë së butë në favor të biznesit vendas.
Gjatë një dalje para mediave, ministri Prifti deklaroi se nga 5 milion euro që ishte programi italo-shqiptar për linjën e kredisë së bute për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, vitin e ardhshëm kjo shumë do të shkoje në 10 milion euro.
Përveç kësaj, numri 1 i ekonomisë shtoi se po negociohet me Bankën Evropiane të Investimeve për të injektuar në formën e kredisë së butë 50 milionë euro të tjera.
Dritan Prifti: “Lajmi i mirë është që në vitin 2010 me të njëjtën linjë kreditimi ne do të kemi 10 milion euro në dispozicion të biznesit shqiptar për të kredituar pra përsëri ndërmarrje prodhuese, ndërmarrje që eksportojnë dhe ndërmarrje që punësojnë njerëz të rinj. Kam pas drejtorin rajonal të Bankës Evropiane të Investimeve në zyrën time, ku i kam kërkuar atij një kredi për të mbështetur biznesin nëpërmjet bankave të nivelit 2, prej 50 milion eurosh të bërë efektive vitin që vjen”.
Një ditë më parë ministri Prifti së bashku me ambasadorin Italian në vendin tonë Saba D’Elia panë nga afër konkretizimin e programit italo-shqiptar për kredinë e butë.
Ata vizituan tre kompani në Lushnje e Fier të cilat janë përfituese të kredive nga 170 mijë deri në 500 mijë euro, kompani që operojnë në sektorin agro-ushqimor dhe atë të përpunimit të mermer-granitit./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro