Lajme Arkiva 2003
Veprime profesionale dhe të depolitizuara , këtë kanë kërkuar nga drejtorët e policisë në qarqe jo vetë drejtuesit e Ministrisë së Rendit, por edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Ilirjan Celibashi: KQZ ka deklaruar edhe herë të tjera që për aspekte të ndryshme të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ishin marrë në konsideratë mendimet dhe sugjerimet të specialistëve të ndryshëm, qoftë të atyre zgjedhor, por edhe të policisë së shtetit, me qëllim që ne të kishim shmangur ndoshta edhe debatet e fundit të cilat janë duke u bërë në lidhje me angazhimet dhe përgjegjësitë e policisë së shtetit në këtë proces zgjedhor. Ne synojmë që procesi zgjedhor të mos bëhet objekt i kontestimit nga forca të ndryshme politike pikërisht për mënyrën se si polica do ta përcjellë detyrimin e saj në raport me zgjidhjet.
Debatet për prezencën e bluve pranë qendrave të votimit dhe kundërshtitë e opozitës për ndryshimet ligjore në ditët e fundit kanë detyruar ministrin Rama të kërkojë nga vartësit e tij , angazhim maksimal për paprekshmëri të dokumentacionit elektoral.
Luan Rama: Të përzgjidhen për të shërbyer pranë qendrave të votimit punonjësit me formimin më të lartë profesional dhe me vlerat më të paqortueshme dhe të konfirmuara etike. Së dyti të intensifikohet trajnimi i këtij personeli me të gjithë arsenalin juridik, me të gjitha teknikat e disponueshme profesionale dhe psikologjike, për të dëshmuar neutralitet absolut, nivel të lartë parandalues e ndërhyrës, si dhe vendosmëri të madhe në kryerjen e detyrës./tvklan.al