Ministri i Rendit Spartak Poçi ka zbritur sot në Drejtorinë e Policisë së Librazhdit duke kërkuar nga uniformat blu të kësaj zone më shumë luftë ndaj krimit dhe kontroll i rreptë që Koridori 8 nesër të mos jetë një koridor trafiqesh por koridor i ligjit. I shoqëruar nga drejtori i Policisë në Ministri Veli Myftari si dhe shefi i policisëtë Prefekturës Elbasan Edmond Koseni, Ministri i Rendit në një analizë policore në këtë qytet, duke konsideruar Librazhdin si një pikë kyçe të Koridorit 8 ka kërkuar në këtë zonë një polici që bashkëpunon me komunitetin dhe që duhet të jetë e përgatitur për të mos lejuar trafiqet e drogës, prostitucionit e të tjerë të lëvizin nga i gjithë rajoni në Polici nëpërmjet Koridorit 8.
Do të pastrojmë radhët e policisë nga të gjithë elementët e korruptuar qofshin me prirje të djathtë apo socialistë ka shprehur Ministri Poçi. Lufta ndaj krimit duhet të bëhet e pamëshirshme i është drejtuar ministri efektivave të zonës. Ministri i Rendit ka përshëndetur gjithashtu kapjen e dy grupeve kriminale në Librazhd si dhe pastrimin nga armët në komuna dhe në qytetin e Librazhdit. Shefi i Policisë për Prefekturën Elbasan Edmond Koseni është shprehur optimist ndaj kërkesës së Poçit për një zonë pa trafiqe duke u nisur nga rezultatet e Komisariatit të Librazhdit në zbulimin dhe kapjen e kriminelëve./tvklan.al