Bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe në zhvillimin e turizmit kanë dominuar agjendën e vizitës së ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, në Malin e Zi.
Në takimet që zhvilloi me ministrin malazez të turizmit, Predrag Neneziç dhe Ministrin e Kulturës, Branislav Mikunoviç, u vlerësuan në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e dy vendeve në këto sektorë.
Ferdinand Xhaferri: “Dhe mendoj që është obligimi jonë kryesor si ministra kulture që të rrisim intensitetin e bashkëpunimit që popujt tanë të njohin më mirë kulturën e njëri tjetrit në cilësinë e vlerave më të mira të saj. Duke vepruar kështu ne kontribuojmë edhe me rrëzimin e iniciativave të kryeministrave të vendeve receptiv, të cilët për një kohë të gjatë në mënyrë të vazhdueshme kanë investuar për të përcjellë mesazhin që rajoni jonë, popujt tanë ka lënë mbrapa krahëve të shkuarën me probleme etnike dhe nacionaliste. Janë orientuar drejt integrimit evropian.”
Në takimin me zotin Neneziç, ministri Xhaferri është fokusuar te nevoja e shkëmbimit të ideve për zhvillimin e turizmit dhe te gatishmëria e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me Malin e Zi në këtë sektor, ku fqinji ynë ka një traditë dhe eksperiencë më të madhe.
Ministri është ndalur edhe në arritjet që qeveria shqiptare ka bërë sa i përket zhvillimit të turizmit, duke theksuar investimet në infrastrukturë./tvklan.al