Ministria e Financave ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për krizë ekonomike në Shqipëri, referuar pikërisht deklaratave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp zv/Ministri i Financave, Alfred Rrushaj, iu referua vlerësimit që bëri vetëm pak ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar, që foli për një rritje ekonomike me 3% gjatë vitit 2009.
Alfred Rrushaj: “Kryetari i Opozitës i ndodhur në krizën më të thelë të vet politike, i vetëizoluar nga interesat e shqiptarëve, nga aspiratat e tyre dhe nga e vërteta e zhvillimeve në ekonominë e vendit, përpiqet të sqarojë përpara opinionit publik një krizë virtuale që në të vërtetë ekziston vetëm në mendjen e tij. Vetëm dy ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi para opinionit publik, se shpifjet e opozitës për krizë ekonomike janë të pa vërteta. Konfirmimi i një rritje prej 3% për vitin 2009, ndërkohë ku vet kjo organizatë kishte parashikuar të ishe 0.4%, i bën tërësisht qesharake përpjekjet e opozitës për të shitur krizën e tyre si krizë të shqiptarëve”.
Zv/Ministri i Financave shtoi dhe të tjerë tregues siç është rritja e ndjeshme e importeve dhe eksporteve, apo rritja e depozitave bankare, duke dalë në përfundimin se 2010 do të ketë një performancë edhe më pozitive se viti që lamë pas.
Alfred Rrushaj: “Në përfundim të dy mujorit të parë, qeveria i konfirmon opinionit publik, se të dhënat nga tregu në këtë periudhë janë në përputhje me parashikimet për një përfundim më pozitiv se viti i kaluar. Importet janë rritur me rreth 2 miliard lekë dhe eksportet janë dyfishuar në vlerë dhje sasi me të njëjtën periudhë të viti të kaluar. Nëse gjatë gjithë vitit 2009-t niveli i depozitave u rrit me 49 miliard lekë, vetëm në Janar të këtij viti ato janë shtuar me 14 miliard lekë, duke arritur kështu nivelin e maksimumit historik të tyre. Në këto rrethana kreditimi për ekonominë reale vijon të rritet me nivel 13% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.
Sqarimi i Ministrisë së Financave vjen pas akuzave të Edi Ramës ndaj Institutit të Statistikave për pavërtetësi të të dhënave lidhur me situatën ekonomike në Shqipëri, por Partia Demokratike i quajti këto akuza si përpjekje për të vrarë një nga asetet më të vyera të vërtetësisë të të dhënave zyrtare./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi