Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Parashikimi jo i saktë për shlyerjen e interesave të borxhit të brendshëm, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 12 milion dollar më tepër. Burime të rezervuara në Ministrinë e Financave pohojnë, se gabimi që i rëndon buxhetit të shtetit rreth 2.1 miliard lekë është bërë në përllogaritjen e detyrimeve për borxhin e brendshëm.

Kjo pasi për shkak të normës së interesit bazë të lekut, kostoja e borxhit të brendshëm gjatë 9 mujorit të parë të vitit ka qenë e lartë. Duket se në këtë situatë ka ndikuar në mënyrë pozitive, lëvizja e normave të interesave në tregjet ndërkombëtare të këmbimit valutor.

Kështu, shkëmbimi i ulët i dollarit amerikan, gjatë 9 mujorit të parë gjatë këtij viti, bëri që nga buxheti i shtetit të kurseheshin rreth 0.9 miliard lekë. Gjatë këtij viti ishte parashikuar të shlyheshin me fondet e buxhetit të shtetit rreth 31 miliard lekë nga të cilat rreth 24 miliard lekë për shlyerjen e borxhit të brendshëm dhe 7 miliardë për shlyerjen e borxhit të jashtë.

Që prej vitit 2002, kostot në buxhetin e shtetit për shlyerjen e borxhit kanë ardhur në rritje, pasi ka mbaruar afati i faljes prej 10 vjetësh, akorduar nga Banka Botërore./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka