Lajme Arkiva 2003

Ashtu si çdo vit në fillim të vjeshtës Ministria e Kulturës ka çelur konkursin më të rëndësishëm kombëtar për letërsinë, “Penda e Artë” dhe “Penda e Argjendtë”.

Ky konkurs i cili pritet të shpallë fituesit e tij pikërisht në një konkurs që do të zhvillohet ditën e nesërme nuk ndryshon shumë në thelbin e tij. Kriteret sipas organizatorëve të tij do të jenë të njëjta me ato të viteve të tjera.

Juria e përbërë nga 5 specialistë do të marrë në konsideratë propozimet e bëra nga shtëpitë botuese dhe reagimin e kritikës, si edhe lexuesit e specializuar.

Një nga fituesit e tre prej edicioneve të konkursit “Penda e Artë”, shkrimtari i njohur shqiptar, Fatos Kongoli rrëfen emocionet e pjesëmarrës së tij në këtë konkurs dhe vlerat që ai mbart.

Fatos Kongoli: Sigurisht unë mendoj se kjo është një veprimtari shumë e rëndësishme në rang kombëtar për të gjithë shkrimtarët dhe letërsinë shqipe, po të kemi parasysh që ky ka mbetur i vetmi konkurs, e vetmja veprimtari vjetore, ku një herë në vit vlerësohen veprat më të mira të atij viti. Në këtë pikëpamje unë mendoj se është një gjë shumë pozitive dhe e mirëpritur nga të gjithë krijuesit.

Ky çmim që jepet për persona të gjallë ose jo, këtë herë do ti dedikohet posaçërisht përkrahjes së tendencave moderne dhe emancipuese, estetike të autorëve të mëdhenj shqiptarë që kanë luajtur rol shumë të ndjeshëm në jetën tonë./tvklan.al