Lajme Arkiva 2003

Maratona e gjatë e halleve qesharake që kanë përfshirë Teatrin Kombëtar duket se nuk do të mbarojë shumë shpejt. U bënë disa muaj që kur drejtori i përkohshëm i këtij teatri Agim Qirjaqi paraqiti dorëheqje e parevokueshme pranë ministres Dade. Një dorëheqje që u shoqërua me debate dhe akuza ndaj Dadës se po e linte këtë institucion në mëshirë të fatit.

Vetëm tani pas një konkursi të shpallur rreth dy muaj më parë nga Ministria e Kulturës  Rinisë dhe Sporteve, më në fund qeveria shqiptare vendori të vërë në krye të Teatrit Kombëtar një nga kandidatët, regjisorin Kiço Londo.

Sot zoti Londo është paraqitur para aktorëve të teatrit dhe mediave nga zëvendës ninistri i Kulturës zoti Halil Lalaj, i cili ka nxituar ta quaj Teatrin Kombëtar, kompani teatrore shtetërore.

Halil Lalaj: Qeveria mori vendimin përkatës duke emëruar zotin Kiço Londo drejtor të kompanisë shtetërore teatrore.

Pyetjes së gazetarëve se përse e konsideronte si të tillë institucionin e Teatrit Kombëtar zoti Lala i është përgjigjur me indiferencën se nuk kishte ardhur për të realizuar një konferencë për shtyp me gazetarët edhe se të gjitha mediat ishin ftuar për të marrë pjesë në këtë takim.

Halil Lalaj: Unë i kërkoj ndjesë artistëve të teatrit për praninë e medias këtu. Po të doni më pas bëjmë një konferencë shtypi, por tani kam ardhur për tjetër gjë.

Kjo ndoshta se zëvendës ministri Lala nuk e di që ky teatër, nuk mund të quhet ende një kompani teatrore shtetërore, pasi aktet nënligjore të ligjit për teatrin që parashikojnë një gjë të tillë nuk kanë kaluar ende për miratim nga qeveria shqiptare.

Ndërsa drejtori i ri Londo ka premtuar se do të ketë disa strategji në punën e tij ne krye të këtij institucioni si për shembull zbutjen e konflikteve midis atyre që ai i ka quajtur rryma të ndryshme në këtë teatër, realizimin e bashkëpunimit në fushën e projekteve si dhe shtrirjen e bashkëpunimit të teatrit kombëtar edhe me teatrot në rrethet e tjera të vendit./tvklan.al