Ministria e Mjedisit ka vendosur të pezullojë punimet në sheshin Skënderbej.
Inspektorati Kombëtar i Mjedisit, pas një inspektimi në sheshin e ndërtimit, ka konstatuar se Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për zbatimin e projektit, pa u pajisur më parë me leje mjedisore.
Për këtë shkelje është firmosur dhe një gjobë prej dy milionë lekësh.
Ilir Bala: “Ky aktivitet në bazë të ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis i nënshtrohet procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, i cili duhet të përmbajë qëllimin e projektit për shkrimin e tij të hollësishëm, të dhëna për mjedisin ekzistues të zonës ku zbatohet projekti dhe në afërsi të saj, përshkrimin e hollësishëm të të gjitha instalimeve që bëjnë pjesë në këtë projekt dhe të instalimeve ndihmëse, planin e ndërtimit dhe afatet e tij, përshkrimin e veprave inxhinierike që ndërtohen ose zgjerohen dhe të veprave të domosdoshme për zbatimin e këtij projekti, ndikimet e mundshme në mjedis dhe masat e propozuara për zbutjen e tij, përputhjet e projektit me planet e rregullimit të territorit dhe zhvillimin ekonomik të zonës ku do të zbatohet projekti. Ky projekt duhet të marrë dhe mendimin pozitiv të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë.”
Por, pavarësisht vendimit të pezullimit të punimeve nga Inspektorati i Mjedisit deri në pajisjen e subjektit me leje mjedisore, firma e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës e ka injoruar urdhrin dhe ka vijuar punimet, siç tregohen edhe këto pamje të filmuara në mesditë.
Ligji parashikon që për sa kohë që subjekti ndërtues nuk është pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, mbetet në fuqi vendimi i pezullimit të aktivitetit për të cilin është kontraktuar./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka