Lajme Arkiva 2003

Ministria e Punëve të Jashtme gjatë 6 muajve të parë të këtij viti ka patur një sërë suksesesh në punën e saj. Me këtë fjalë e ka hapur analizën e 6 mujorit kreu i diplomacisë shqiptare Ilir Meta. Progresi sipas ministrit të punëve të jashtme janë shënuar në marrëdhëniet dypalëshe me vendet e rajonit me shtetet e bashkuara të Amerikës por edhe me vendet e Bashkimint Evropian dhe për këtë kanë shërbyer edhe marrëveshjet e ndryshme që janë nënshkruar për thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me këto vende.

Ilir Meta: Në rrafshin rajonal kemi realizuar të gjitha kërkesat e bashkëpunimit dhe kemi ndihmuar dhe kontribuar për ndërtimin dhe për krijimin e kuadrit të plotë dhe me të gjitha vendet. Në këto 6 muaj Shqipëria ka dhënë mbështetjen e saj politike morale por edhe ushtarake në luftën globale kundër terrorizmit dhe regjimeve që sponsorizojnë këtë kërcënim global.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste kreu i selisë rozë njëherësh kreu i qeverisë duke ju kundërpërgjigjur akuzave që Ilir Meta kishte renditur në letrën që i pati adresuar atij për punën jo të mirë të qeverisë, deklaroi se Ministria e Jashtme është një nga ministritë ku nuk është punuar për të realizuar prioritetet e qeverisë.

Si të vetmin sukses të kësaj qeverie Nano me ironi përmendi vizitën e ministrit të jashtëm në Beograd, Moskë dhe Kiev. Nano u shpreh në këtë mbledhje se Ministri i Jashtëm është fare i jashtëm në qeveri.

Ndërkohë ministri Meta gjatë analizës së sotme si një nga sukseset e këtij 6 mujori përmendi edhe hapjen e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian./tvklan.al