Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministria e Rendit Publik është gati të dërgojë në prokurori, provat e siguruara sipas saj për shkeljen në detyrë nga drejtori qendror i qarkullimit rrugor i shkarkuar dje nga detyra Agim Çiraku.

Burime të konfirmuara thanë për TV Klan, se ministria ka siguruar prova nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, se zoti Çiraku ka abuzuar duke lejuar, që makinat betoniere të lejohen, madje nën vëzhgimin e uniformave të policisë, të lëvizin në kundërshtim me rregullat dhe pa dokumentacionin e duhur, duke shkaktuar kështu jo vetëm probleme me trafikun, por edhe dëme të pa riparueshme ekologjike.

Në komisariatin e policisë rrugore në Tiranë, gjenden ende të bllokuara të paktën 9 betoniere, të cilat kanë pasur mangësi në dokumentacion dhe kanë thyer rregullat. Të njëjtat burime tha, se shumë shpejt, materialet e mbledhura do t’i përcillen konform ligjit organeve kompetente, për t’u marrë me verifikimin e mëtejshëm dhe në rast të gjetjes së elementëve të veprës penale, të nis edhe ndjekja penale.

Pasardhësi i zotit Luan Shehu, Agim Çiraku në postin e drejtorit të policisë rrugore, e kreu këtë detyrë vetëm disa muaj. Brenda pak ditësh, Ministria e Rendit vendosi t’i shkarkojë nga detyra dhe përjashtojë nga radhët e policisë, të dy këta zyrtarë, duke ia lënë policisë të nisë ndjekjen penale, për akuzën e shpërdorimit të detyrës./tvklan.al