Lajme Arkiva 2003

Ministria e Rendit Publik ka vendosur të shpërblej më 20 milionë lekë të vjetra të gjithë ata persona që do të japin informacion për vendndodhjen e Agim Pepës dhe të dy vëllezërve të tj që janë atentatorët e komisarit të Krujës Gani Malushi. Në funksion të informatorëve të cilët do tu ruhet anonimati është vënë telefoni me numër 228098. Ndërsa 3 fotot e vëllezërve nga mirdita u janë shpërndarë gjithë komisariateve të policisë së vendit me porosi të veçantë për pikat e kalimit kufitar. Drejtori i policisë së Durrësit Pashkë Tusha është përpjekur që të negociojë edhe me familjarët e 3 vëllezërve vrasës për ti bindur ata që të vetëdorëzohen në polici.

Pashkë Tusha: Kontrolle janë bërë jo me dhjetëra por me qindra, edhe në Mirditë, edhe në Lezhë edhe në Krujë edhe në Durrës. Me gjithë forcat e policisë së Durrësit, forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë, e gjithë ministria e rendit, të gjithë drejtuesit e ministrisë së rendit publik që ditën e djeshme janë të angazhuar me këtë  ngjarje shumë të rëndë që ka ndodhur.

Pashkë Tusha: Unë nuk mund të bëjë komente dhe të jap prononcime për gjurmët dhe për provat e kësaj ngjarje sepse është organi i Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, i cili ka kompetencë që të vlerësoj dhe të pohojë gjurmët e ngjarjes së ndodhur ditën e diel.

Gazetarja A ekziston një mundësi për tu dorëzuar?

Pashkë Tusha: Është biseduar me të afërmit e autorit të krimit, me prindërit me bashkëshorten, me të gjithë njerëzit e afër të tij dhe kanë marrë përsipër përpara policisë që të bëjnë të pamundurën për të dorëzuar autorin e këtij krimi shumë të rëndë që ka ndodhur dje në Durrës.

Deri më tani policia e Durrësit ka arritur të gjejë vetëm 3 nga automjetet e përdorura nga atentatorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes./tvklan.al