Asnjë pacient që nuk ka paguar sigurimet shëndetësore nuk do të marrë shërbim shëndetësor pa pasur kuponin e pagesës për çdo kontroll që do të kryeje.
Ky është urdhri i prere i Ministrit të Shëndetësisë dhënë drejtuesve të spitaleve në rrethe, të cilëve u kërkoi zbatim rigoroz të rregullores, duke paralajmëruar edhe ndëshkim për mjeket që marrin ryshfet dhe pacientet që nxisin këtë fenomen.
Petrit Vasili: “Një pacient i cili ka rekomandimin dhe ka librezën shëndetësore me vete dhe duhet të marri një ndihmë në spital sepse kështu e ka gjykuar të tërë hallkat ku ka kaluar, do ta marri atë pa pagesë. Kushdo tjetër që duhet të paguaj sigurimet shëndetësore, por nuk i paguan ato dhe nuk ka librezë, por në çdo etapë ku ata do të shkojnë do të paguajnë ato tarifa zyrtare. Në rast se këta qytetar nuk i paguajnë, nuk do ta marrin këtë shërbim shëndetësor. Çdo pagesë që ata do tentojnë të japin në mënyra të tjera korruptime, do ketë një qëllim të egër ligjor, qoftë ndaj përfituesve personel shëndetësor, qoftë dhe ndaj dhe vetë qytetarëve”.
Në takimin me drejtoret e spitaleve në rrethe, Vasili u ndal edhe tek lufta kundër duhanit. Duke e konsideruar si një sfidë të rëndësishme shëndetësore, ai sqaroi se sistemi i gjobave për kundravajtje do të jetë vetëm për bizneset që e lejojnë këtë fenomen.
Ndërsa përsa i përket institucioneve në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë, në këto raste do të ketë ndëshkim deri në largim nga puna për krerët e tyre.
Petrit Vasili: “Në qoftë në institucionet shëndetësore shqiptare në radhë të parë, do ketë qoftë dhe një njeri të vetëm që pinë duhan. Zgjidhja kryesore është vetëm një, drejtuesit e institucioneve lënë detyrën”.
Rregullorja e cila parashikon mënyrën se si duhet të funksionoj sistemi shëndetësor, iu është shpërndarë të gjithë drejtuesve të spitaleve.
Ajo parashikon qartazi edhe kompetencën për shkarkim nga puna të vartësve të tyre, në rast të shkeljes së saj./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami