Ministria e Jashtme dhe e ajo Mbrojtjes kanë sqaruar me detaje marrëveshjen e nënshkruar dy ditë më parë mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.
Në një konferencë te përbashkët për shtyp, drejtoresha e çështjeve juridike ne Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi dhe komandanti i forcës detare, Kristaq Gerveni, deklaruan se kjo marrëveshje ka përcaktuar njëherë e mire kufirin mes dy vendeve, si një detyrim i Konventës se Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, në të cilën të dy vendet janë palë, si dhe saktësuan se vija kufitare e shënjuar ne baze te 150 koordinatave, është absolutisht e baraslarguar nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend.
Kristaq Gerveni: “Atëherë merret kjo këtu. Urdhëro.”
Ledia Hysi: “Çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale si rezultat i kësaj marrëveshje. Distanca dhe koordinatat e publikuara në një nga të përditshmet janë të pasakta dhe dizinformuese. Kjo marrëveshje e nënshkruar në datën 27 Prill nga dy ministrat e punëve të jashtme të dy vendeve që lagen nga i njëjti det është një marrëveshje që në fakt duhet nënshkruar sepse është një përcaktim i konventës. Përsa kohë të dyja palët, vendet jemi palë në konventë atëherë jemi të detyruara që me marrëveshje të përcaktojmë kufirin tonë detar dhe normal që metodat, e ripërsëris dhe njëherë, që janë përdorur nuk janë metoda që i kemi shpikur ne, por që jemi përshtatur. Janë metoda matje deri dhe me formula përkatëse, të cilat përcaktohen plotësisht nga konventa e OKB-së për të drejtën e detit.”
Kristaq Gerveni: “Në mënyrë absolute konventa nuk e lejon, lejon deri në 12 milje detare, ndërsa ne e kemi pasur 15 milje detare, pra e kemi shkelur këtë konventë dhe duke marrë parasysh…”.
Ledia Hysi: “S’kemi qenë palë në konventë në atë kohë”.
Kristaq Gerveni: “Nuk kemi qenë atëherë, kështu që është hera e parë dhe po themi dhe një herë pika treshe do të caktohet në bazë të marrëveshjes trepalëshe. Nuk kemi të drejtë neve. Ne e kemi lënë në mes në ujërat ndërkombëtare, ashtu siç është lënë në mes midis Greqisë dhe Italisë dhe në takimin trepalësh do caktohet pika e përbashkët, pika treshe. Nuk ka të drejtë asnjë shtet që të shpalli kufijtë detarë më shumë se 12 mijë.”
Në këtë mënyrë Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes kanë hedhur poshtë informacionet e një gazete, sipas së cilës Shqipëria i kishte falur hapësirë detare shtetit fqinj.
Po kështu, këto dy dikastere i kanë quajtur si dezinformuese dhe dashakeqe, informacionet e botuara në gazetë, për gjoja “tkurrje të pozitës strategjike të shtetit shqiptar“ si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve.
Dy dikasteret kanë sqaruar se në procesin e negocimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme matjet janë bërë me metoda shkencore më të avancuara dhe nga specialistët më të mirë.
Kjo marrëveshje, tashmë pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor dypalësh, respekton në mënyrë rigoroze të drejtën dhe të barabartë sovranitetin dhe integritetin e të dy vendeve.
Të gjitha dispozitat e parashikuara në marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, parashikimet e konventës së OKB-së për të drejtën e detit, si dhe janë konform të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare në çështjet e delimitimit.
Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes i kanë konsideruar trillimet dhe trajtimet abuzive të çështjeve të tilla të rëndësishme si një dëshmi të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së thellë të profesionalizmit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani