Reforma që do të nisë në Janar të 2009-tës do të zgjidhë përfundimisht problemin e mungesës së medikamenteve dhe kujdesit shëndetësor në spitalet tona.
Kështu ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë vizitave të saj në spitalet e Përrenjasit dhe Pogradecit.
Në takimin me mjekë dhe infermierë të spitalit të Përrenjasit Godo ka kërkuar menaxhim më mirë të fondeve që do të administrohet nga vetë stafet mjekësore.
Anila Godo: “Kemi një buxhet që i akordohet këtij spitali, të cilin spitali mund ta shfrytëzojë dhe ta përdori më me mençuri. Iu rritet fuqia, por iu rritet përgjegjësia, iu rritet puna dhe jemi këtu dhe për këtë.”
Më tej gjatë vizitës së saj në Pogradec Godo është shprehur se reforma në sektorin e sigurimeve dhe pajisja e qytetarëve me karta shëndetësore do të përmirësojnë ndjeshëm shërbimin në spitale.
Anila Godo: “Të kemi një standardizim, jo një qytet të na shkëlqejë dhe një qytet tjetër ta kemi me shumë probleme, pra të kërkojmë një standard në rajon e në rrethe. Ministria do vazhdojë të kontrollojë se si do të shpërndajë investimet dhe aparaturat. Të themi që mos të kemi tre skanera në Durrës dhe asnjë në Korçë”.
Godo ka shprehur nevojën e kthimit te spitalit të Pogradecit nga një shërbim i lokalizuar në spital rajonal. Sipas saj një projekt i tille duhet të zbatohet në të gjitha qytetet turistike./tvklan.al