Shqipëria U-19, triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Malit të Zi, në miqësoren e parë të luajtur në Tuz. Një ndeshje e bukur dhe me raste të shumta, ku në fund ia dolën të fitojnë kuqezinjtë e Ahmatajt.

Ron Hasani zhbllokoi sfidën në minutën e 31-të, duke shënuar pas një gabimi në mbrojtjen kundërshtare. Megjithatë vendasit barazuan 1-1 me penallti, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Fraksioni i dytë nisi shumë mirë për Shqipërinë e Ahmatajt, që realizoi golin e dytë dhe kaloi sërish në epërsi falë Vranicit. Kuqezinjtë nuk ndalen këtu, por tentuan dhe krijuan raste derisa gjetën edhe golin e tretë me Xheto Joi Nuredinin në minutën e 60-të.

Malazezët ngushtuan rezultatin në 2-3 në minutën e 77-të. Pavarësisht golit, fitorja i takon kuqezinjve, që e ruajtën avantazhin deri në fund.

Shqipëria do të luajë edhe një ndeshje tjetër miqësore kundër Malit të Zi të dielën në “Reshit Rusi” në Shkodër. Takimi është programuar të nisë në ora 12:00. Ky do të jetë testi i fundit për kuqezinjtë, të cilët i japin fund kështu ndeshjeve miqësore të zhvilluara përgjatë disa muajve, në kuadër të përgatitjeve për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19.

Shqipëria është pjesë e grupit 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”. /tvklan.al