Legalizimet e zonave informale u miratuan në Kuvend sipas variantit të mazhorancës socialiste. Ky ligj u aprovua me 66 vota, 49 kundër dhe 5 abstenime. Ky ligj u kundërshtua nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili shpjegoi se shteti duhet të ndërhyjë më shumë për të shmangur konfliktin mes ndërtuesve të paligjshëm dhe pronarëve të tokave të zëna.
Sali Berisha: “Çfarë alternative u latë ju atyre kur kryetarin e qeverisë e legalizoni me 4%, ndërsa atyre u tregoni vlerën e tregut, kur kryetarin e qeverisë e urbanizoni me 3 % dhe atyre u tregoni vlerën e tregut. Mos i mjeroni më tutje ata, mos i shtyni drejt revoltave, mos i shtyni drejt protestave! Edhe një herë ju them, anuloni ligjin që votuat!”
Ndërsa për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, qeveria mban qëndrim të njëanshëm dhe kjo formë legalizimi, sipas tij, bëhet për efekt elektoral.
Ilir Meta: “Unë dua të siguroj edhe zotin Berisha se ky ligj asnjë gjë nuk zgjidh dhe nuk zgjidh as problemin e pronës, pavarsisht nga përmirësimet që ju pretendoni që i janë bërë atij. Përkundrazi, projektligji shënon vetëm një përpjekje të nxituar paraelektorale për të realizuar përmbushjen e një premtimi të pambajtur në funksion të llogarive meskine elektorale dhe si një përpjekje e tillë nuk bën gjë tjetër veçse shton pasigurinë dhe stresin e këtyre banorëve të cilët duhet të paguajnë të gjitha kostot e urbanizimit, pakënaqësinë e ish-pronarëve apo të pronarëve të rinj të tokës të cilët nuk zgjidhin aspak pretendimet e tyre si dhe një konfuzion total juridik mbi problemet e pronësisë.”
Kjo mënyrë komunikimi nuk është vlerësuar nga ministri i Rregullimit të Territorit Bashkim Fino që, sipas tij, kuvendi nuk duhet të japë i pari shembullin e mosmarrëveshjes për këtë proces.
Bashkim Fino: “Zotërinj deputetë kjo nuk është një përpjekje paraelektorale, siç tha dikush këtu, por një detyrim që mund të plotësohet nga të gjithë. Edhe nga ata që kanë vëtëbërë apo vazhdojnë të bëjnë në turet e tyre elktorale premtimet e tipit ‘me ne fitojnë të gjithë dhe ta gëzoni shtëpinë’.” /tvklan.al