Paketa e Maleve për opozitën është iniciativë antikushtetuese e kryeministrit duke ndërtuar një skemë për të shpërblyer klientët e tij politikë me pronat publike.

“Ju thoni që me këtë projektligji, të gjitha subjektet që i kanë poseduar pronat në mënyrë ilegale tani mund t’i përfitojnë për 10 vjet, tani mund t’i përfitojnë dhe ta blejnë tokën me një tarifë prej 1 Euro”, tha Jorida Tabaku.

Tabaku tha se cënohen edhe negociatat me BE, në mos garantimin e klimës së biznesit për investimet e huaja. U kundërpërgjigj zv/ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu.

“Po flasim për pasuri të cilat kanë statusin kadastral jo tokë bujqësore. Rrjedhimisht nuk janë ndarë në bazë të ligjit 7501. Janë pasuri të cilat kanë ngelur shtetërore sepse nuk janë transferuar titujt e pronësisë tek personat, tek pretendentët apo pronarët realë të tyre”, tha Enkelejd Musabelliu.

Nëse ky projektligj miratohet në Kuvend, bashkitë do të shpallin zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore e më pas ia propozojnë Ministrit të Pushtetit Vendor, ndërsa fjalën e fundit e ka qeveria.

Klan News