Lajme Arkiva 2003

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është alarmuar kur mjekëve dhe infermierëve u kanë rënë në dorë dy medikamente të skaduar, analgin ampul dhe sulfat magnezi i cili përdoret kryesisht si qetësues. Sipas drejtorit të spitalit Mihal Tase ampulat kishin mospërputhje me datën e skadencës. Në etiketë ilaçi skadonte në vitin 2004, ndërsa në shishen e saj medikamenti mbante datën e skadencës të vitit 2003.

Doktor Mihal Tase: Janë sjellë 9000 ampula me sulfat magnezi dhe 15.000 ampula me analginë. U pa që kishte një mospërputhje midis datës së skadencës që ishte në letër dhe mes datës së skadencës që ishte në ampule, në qelq. Për këtë arsye u ndërpre menjëherë shpërndarja e medikamentit nëpër shërbimet përkatëse, nëpër pavijone dhe ju kërkua firmës që të marri medikamente, ti tërheq mbrapsht këto medikamente dhe njëkohësisht të sjelli medikamente me skadencë normale. Përveç kësaj unë si drejtor i spitalit duke e vlerësuar si një gjendje të rëndë i kërkova Ministrisë së Shëndetësisë që këto dy firma të mos marrin më pjesë në tenderat për furnizimin me medikamente të spitalit.

Medikametet kishin hyrë në spital vetëm 2 javë më parë nëpërmjet dy firmave që merren me shpërndarjen e ilaçeve dhe ishin prodhuar nga Prodental Farma e cila kishte fituar edhe tenderin për furnizimin e qendrës universitare me 15.000 analgina dhe 9000 sulfat magnezi.

Ndërkohë drejtori i spitalit është shprehur se ilaçet e skaduara janë zbuluar vetëm dy ditë më parë dhe nuk janë përdorur te asnjë pacientë./tvklan.al