Mjekët e kardiologjisë kanë sqaruar se mbyllja e sallave të operacionit në këtë repart është pjesë e procesit të dezinfektimit, e cila ndodh disa herë gjatë vitit.
Në një konferencë për shtyp ata kanë sqaruar se mikrobi i stafilokokut, i përfolur si shkak i pezullimit të operacioneve në këto salla nuk përbën rrezik pasi ai gjendet në çdo kohë dhe në çdo pjesë të sipërfaqes së trupit të njeriut.
Arben Baboçi: “Brenda një viti kjo mund të ndodhë edhe pesë herë, dhe gjashtë herë që për disa ditë sallat e operacionit të izolohen për të shmangur ngarkesën e lartë mikrobiale që mund të krijohet në situata të caktuara dhe për të parandaluar infeksionet në të sëmurët e operuar bëhet sigurisht mbyllja e këtyre sallave dhe dezinfektimi i plotë i tyre”.
Arben Gjata: “Njeriu është mbartës normal i këtyre mikrobeve. Në qoftë se secilit nga ne mbasi t’i lajmë dhe duart nja 75 herë me sapun, me jod, me alkool e të tjerë, po t’i bënim mbjelljen duarve me siguri në duart e secilit nga ne do kishte akoma stafilokok”.
Mjekët kardiokirurg deklarojnë se infeksionet spitalore janë prezente dhe mund të kthehen në rrezik për pacientët, por statistikat tregojnë se gjatë vitit 2008, nga 250 të operacioneve të realizuara në kardiokirurgji vdekshmëria nga infeksionet është më pak se 0.5%./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami