Historia e mjekes alternative, Sevdije Berishës nga Kosova është një ndërthurje e dashurisë për jetën dhe një lufte të gjatë me kancerin. Rrëfimi i saj për “Rudina” në Tv Klan nis nga momenti kur u bë nënë për herë të parë. Pasi lindi djalin, nisi të përjetonte probleme shëndetësore me të vjella e dhimbje stomaku që u përkeqësuan me kohën.
Mjekët e diagnostikuan me kancer që ishte përhapur nga zorra e trashë në stomak dhe organe të tjera. Sevdija, e cila sot është 65 vjeçe, ka kaluar një mori operacionesh të vështira dhe më pas është diagnostikuar edhe me leucemi.
Sevdije Berisha: Kam qenë edhe në koma. 15 ditë, 2 javë.
Rudina Magjistari: Çfarë lloj kanceri ishte?
Sevdije Berisha: E kam pasur në zorrë të trashë, ka kaluar në stomak, metastaza. Kam pasur 13 operacione.
Rudina Magjistari: 13 operacione!
Sevdije Berisha: Edhe në fund leucemia. Sot ka 8 vite që jam më mirë, s’kam më asgjë.
Rudina Magjistari: Vetëm se nuk është e lehtë që të përballohet e gjitha. Sa zgjati si periudhë kurimi dhe trajtimi?
Sevdije Berisha: Shumë vite, shumë. Sa mbaroja një operacion, ajo dilte diku tjetër nëpër organe. Shumë ka pasur.
Sevdija shton se kimioterapinë e ndërpreu pasi nuk e ndiente veten mirë me të. në vend të saj, ajo nisi të përdorte barnat natyrale që u atribuon shërimin e saj.
Sevdije Berisha: Në stomak kështu e kam shëruar. Shkalla e katërt ka qenë, faza e katërt e kancerit, por mirë shyqyr Zotit, ka dashur Zoti, pa dashur Zoti asgjë nuk bëhet.
Rudina Magjistari: Ju thoni 13 operacione, janë shumë!
Sevdije Berisha: 7 operacione i kam pasur vetëm në zorrën e trashë.
65-vjeçarja kujton edhe momentin kritik kur mjekët nuk i dhanë më shpresë për shkak të gjendjes së vështirë, por ajo ia doli sërish.
Sevdije Berisha: Për 17 muaj, 5 herë jam operuar. Beogradi më tha që për 2-3 muaj s’ka më gjë prej saj, para 28 viteve kjo histori. Kam filluar edhe atëherë me këto, e shërova veten. Kurrë më s’kam patur. Më pas leucemia, e kam pasur në zorrë. Më janë lidhur zorrët, ka pasur abces në zorrë plus isha edhe me leuceminë, përballesha edhe me të. Shpërtheu abcesi në zorrë. Më çuan në Shkup, Prishtina s’mund të bënte asgjë, urjgent për Shkup. Atje kanë thënë që kjo është me leucemi, 99% është e vdekur, edhe po ta fusim në sallë, edhe po ta lëmë sepse abcesi kur plas infekton krejt organet dhe është e vdekur. Zoti, i qofshim falë sepse vetëm atij i besoj, ai ka dashur, ai kur do bën mrekullira. Më futën, i thashë mjekut, Zoti lart, unë këtu, ti aty, po pranoj të hyj në operacion, si ta ketë shkruar ai lart./tvklan.al