Për vite të tëra nëna e Desit u përpoq të kishte një familje të bashkuar. Fillimisht, fëmijët rriteshin larg babait të tyre që ndodhej në emigrim e Desi ishte vetëm 4 vjeçe kur ai qe larguar. Më pas, shkas u bë sëmundja e saj që të shpërnguleshin në Itali për t’u mjekuar.

Desi kujtoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan si dergjej në shtratin e spitalit nga leucemia dhe imazhi i të atit thyhej pak nga pak. Fjalët e tij “lëre të vdesë këtu” ajo i mban mend sot e kësaj dite, të ngulitura fort në kujtesë.

Gjithsesi, më në fund familja u bë bashkë. Desi nuk kujtonte ndonjë ditë të lumtur pasi zënkave nuk u gjendej fundi. Për më tepër nisi dhuna derisa erdhi momenti i divorcit që për çudi, e kërkoi i ati i saj.

Desi: Babi ishte shumë i dhunshëm. Ndonjëherë e shihja që kishte… shenja të zeza në trup por ajo bënte sikur s’kishte gjë dhe shkonte në punë.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk ndahej?

Desi: Se donte të mbante familjen të bashkuar. Erdhi vëllai pastaj dhe sikur dhuna pushoi pak, por fatkeqësisht kohë më tutje, filloi prapë. Herën e fundit se tani prindërit janë divorcuar dhe hera e fundit kur u zunë shumë, mami shkoi në spital 6 ditë.

Ardit Gjebrea: Si e mori mami vendimin që të ndahej nga babi?

Desi: Nuk e mori mami vendimin se pasi mami qe shtruar në spital, u rikthye në shtëpi, ia fali babit, ishim bashkë për shkak që të mbante familjen përherë bashkë.

Ardit Gjebrea: E gjithë kjo sakrificë për një familje që nuk u bashkua kurrë. 

Desi: Kurrë. Pastaj kur edhëm këtu në Shqipëri, ai kërkoi divorcin. Ne s’dinim gjë, vetëm kur vëllai i dytë merr në telefon mamin dhe ia thotë. Mami normale  nuk u ndie mirë dhe pastaj nga aty u rikthyem në Itali. Babi pastaj nga Italia iku, shyqyr Zotit dhe u rikthye në Shqipëri. Këtu pastaj ka krijuar familje tjetër.

Prej vitit 2010 nga divorci i prindërve, Desi  nuk ka më asnjë lidhje me të atin. Ajo dhe gjithë pjesa tjetër e familjes jetojnë në Itali. E ëma nuk e ka rigjetur dashurinë, ndërsa Desi struket nga frika se meshkujt janë si i ati.

Ardit Gjebrea: Mami pati ndonjë lidhje tjetër?

Desi: Jo, absolutisht, mami jo.

Ardit Gjebrea: Po ti?

Desi: Jo.

Ardit Gjebrea: Po pse jo?

Desi: Se ndikon pak kjo gjë.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim?

Desi: Te babi… ngaqë kam parë mamin si e ka kaluar…

Ardit Gjebrea: Ke frikë?

Desi: Shumë.

Ardit Gjebrea: Nuk ke besim te meshkujt?

Desi: Jo.

Ardit Gjebrea: Ngaqë ke shembullin e babit.

Desi: Po se realisht nuk është sjellë mirë se mund të thuash ndoshta ndodh që edhe ka familje kështu të dhunshme, por nuk është një familje e shëndetshme.

Ardit Gjebrea: Nuk të është ofruar asnjë italian atje, asnjë shqiptar?

Desi: Ka ndodhur, por…

Ardit Gjebrea: Ti i ke larguar.

Desi: Bllok. Nuk shkoj dot tutje./tvklan.al