Historia e 13-vjeçares: Unë thjesht kërkoj lekë për të ngrënë bukë dhe jo të iki t’u kërkoj të tjerëve
Emisioni “Historia ime” në Tv Klan ditën e sotme solli një histori të pazakontë të një 13-vjeçareje, e cila jeton në kushte të vështira së bashku me mamanë e saj. Kjo e fundit është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Vogëlushja në studio ka treguar dhunën që babai i saj ushtronte vazhdimisht ndaj tyre, por edhe vëshirësitë që kanë kaluar kur u larguan nga shtëpia.
Për një periudhë kohe, ajo dhe mamja e saj janë endur rrugëve pa ushqim dhe një strehë ku mund të qëndronin. Në studio, Ana me zërin që i dridhej kërkon që të ketë edhe ajo një familje, të mund të festojë si gjithë të tjerët, të mos ketë mungesa në ushqime apo veshje, por edhe të përfitojë pensionin e babait të saj që është ndarë nga jeta.
Mirela Milori: Çfarë do të doje t’i thoje mamit?
Ana: Njëherë të fillonte punë. Ka shumë herë që dua dhe qaj për këtë, se do doja që të kisha një familje të lidhur me vëlla, motër, baba dhe mama, të gjithë bashkë. Diçka që nuk kam dhe po atë do doja t’i thosha shumë, që do doja të ishim të gjithë bashkë, të paktën një herë se edhe nëpër festa nuk jemi të gjithë bashkë, jemi të shpërndarë. Edhe nuk është se i festojmë festat mirë dhe atë gjë do doja t’i thoja.
Drejtuesja e emisionit, Mirela Milori, por edhe psikologia që ishte prezente në studio nuk mundën t’i mbajnë dot lotët nga rrëfimi i saj.
Mirela Milori: Ana na emocionove shumë sepse nëse ju do shikonit sytë e Anës, do emocionoheshit po si unë. Është një vajzë shumë e bukur, me të gjitha 10-ta, është nxënësja më e mirë e klasës. Maksimumi që Ana kërkon ndonjëherë është t’i kërkojë dikujt t’i blejë bukë ose kos dhe të ketë rroba për të veshur.
Mirela Milori: Ana çfarë kërkon sot në këtë emision?
Ana: Unë thjesht kërkoj një jetë më të mirë, një shtëpi më të mirë, rroba për të veshur, lekë për të ngrënë bukë dhe jo të iki t’ju kërkoj të tjerëve bukë. Edhe pensionin e babit.
“Historia ime” prej dy muajsh është duke ndjekur rastin e vogëlushes dhe i është drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë që 13-vjeçarja të përfitojë pensionin e të atit. Gjithashtu fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka siguruar ushqim dhe gjërat e nevojshme për Anën dhe mamanë e saj./tvklan.al