Ka përfunduar takimi mes përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë si dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ky takim u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner”, pranë çadrës së protestës të opozitës.
Të pranishëm në këtë takim ishin Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi.
Pas takimit me zyrtaren e BE, tha se kauza e opozitës ka mirëkuptimin dhe mbështjejen e plotë të atyre që duan të mirën e Shqipërisë.
“Folëm për krizën politike dhe moszbatimin e Dekriminalizimit. Zonja Mogherini do të shpehet vetë dhe unë nuk jam këtu të bëjë zëdhënësin e saj, por mund të them se kauza jonë ka mbështetje dhe mirëkuptim nga të gjithë ata që i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë, ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kthehet të hënë në Parlament, Basha u shpreh:
“Nuk ka për të pasur parlament tjetër përveç sheshit të lirisë deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme”
.
Pas kësaj, Basha iu drejtua çadrës së opozitës nga ku ripërsëriti kushtin për qeveri teknike e zgjedhje të lira e të ndershme.
“Është e domosdoshme dhe e pa negociueshme qeveria teknike, që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. 2 javë kohë janë mëse të mjaftueshme për çdo politikan që të dëgjojë zërin e qytetarëve. Ne nuk jemi këtu për të përcaktuar se kur do të mbarojë kjo protestë dhe kjo betejë nuk mbaron pa hedhur themelet e republikës së re, si dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Asnjë gjë nuk do jetë si më parë, Shqipëria do të ndryshojë dhe do jetë europiane me sakrificën dhe vullnetin tuaj”.
/tvklan.al