Mazhoranca do t’i shkojë deri në fund angazhimit për të garantuar me ligj pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë.
Deputetja demokrate, Mesila Doda në krye të iniciativës për këtë qëllim, shpjegon tre variantet e mundshme që do të ndiqen deri në miratimin e të ashtuquajturit ligji i dosjeve.
Mesila Doda: “Mbeten të hapura të treja opsionet, pra si ideja e krijimit të një ligji të ri, si çuarja e këtij ligji deri në Strasburg, por edhe mundësia për të bërë një referendum popullor lidhur me këtë çështje. Është shumë e hapur sepse është një çështje e cila prek shumicën e popullsisë shqiptare. Të mos harrojmë që shumica e kësaj popullsie ka qenë e persekutuar, është ndjerë nën persekutim dhe sot nuk mund të heshtim përpara dhimbjes dhe përpara problemeve kaq të mëdha që ka hapur ish regjimi i kaluar.”
Doda tha se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndikoi konflikti i interesit që kanë anëtarë të këtij institucioni kanë me ligjin e shqyrtuar.
Menada Zaimi: “Çfarë shikoni tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e dosjes?
Mesila Doda: “Njëanshmëri, konflikt të pastër interesi të shumicës prej tyre si dhe dorëzim përballë presionit politik të Edi Ramës dhe të përfaqësuesve më të lartë të PS. Të cilët e shohin veten pazgjidhshmërisht të lidhur me ish regjimin e vjetër.”
Qëndrimin e PS kundër ligjit të dosjeve, deputetja demokrate e komentoi në këtë mënyrë.
Mesila Doda: “Sigurisht që PS mund ta cilësojë këtë ligj si një me prapavijë politike, pasi sot ende pjesa më e madhe e përfaqësuesve të PS vazhdojnë të mbeten në mënyrë të pazgjidhshme me ish regjimin e vjetër. Kemi akoma ende ish-ministria të kohës së komunizmit që vazhdojnë dhe bëjnë pjesë në koalicion, kemi ende ish-ministra të kohës së kaluar që vazhdojnë dhe mbeten pjesë e kryesisë dhe të qarqeve më të larta drejtues të PS-s. Pra ende kemi një mos dëshirë për tu ndarë nga e kaluara të PS-së. Shpresoj që të paktën brezi i ri, ato që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me partinë dhe ish partinë e dikurshme të punës, do gjejnë forcë që ta bëjnë këtë shkëputje.”
Referendumi popullor duket të jetë varianti më i mundshëm për tu zbatuar ndaj dhe deputetja Doda po lobon me deputetë të grupit kuvendor demokrat bazuar në të drejtën që garanton kushtetuta për këtë qëllim.
Neni 150 i ligjit themelor në pikën 2 të tij thotë se Kuvendi me propozimin e jo më pak se 1/5 së deputetëve ose të këshillit të ministrave mund të vendosë që një çështje ose projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet për referendum./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi