Ish-të përndjekurit politikë reagojnë ashpër ndaj kreut të shtetit Alfred Moisiu pas firmosjes nga ana e tij të dekretit për ligjin që dëmshpërblen këtë shtresë. Për ish-të dënuarit institucioni i presidentit nuk funksionon më pasi shkel hapur kushtetutën, shprehet kryetari i Shoqatës të të Përndjekurve Politikë Kurt Kola. Tashmë shpresat për zgjidhje të kësaj çështje ata do t’i kërkojnë në instancat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, për të përfituar dëmshpërblimin real të punës së papaguar nga regjimi komunist, ndërsa në vendin e tyre u ka mbetur vetëm vazhdimi i protestave.

Kurt Kola: “Më vjen keq, por nga ky moment e mbrapa ai nuk mund të jetë më President i Shqipërisë. Përderisa ai nuk respekton ligjet, përderisa ai nuk respekton kushtetutën për ne, të paktën për ne të përndjekurit politikë, ai është pjesë e krimit dhe mund të them që tani që ne nuk e njohim për President të Shqipërisë. Ne do të mblidhemi si kryesi dhe do të piketojmë rrugën tonë drejt shkeljes së kësaj të drejte. Që do të thotë me protesta, me vazhdimin e protestave, që do të thotë me demarshe drejt institucioneve evropiane, drejt institucioneve që njohin dhe respektojnë të drejtat e njeriut.”

Me ligjin e dekretuar sot si afati i fundit për të hedhur firmën nga Presidenti Moisiu, të gjithë të përndjekurit politikë për familjet e të pushkatuarve dhe për ata që kanë bërë më shumë vite burg do të marrin një asistencë mujore prej 7500 lek, ndërsa të tjerët 2000 lekë në muaj. Vetëm të dënuarit në moshë mbi 65-vjeç do të marrin një shumë të konsiderueshme para kesh në dorë. Ish-të dënuarit ia kanë kaluar ligjin Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo gjykatë e cilëson ligjin të pa bazuar në kushtetutë, atëherë çështja e ish-të përndjekurve kthehet edhe një herë për shqyrtim në parlament. /tvklan.al