Sërish pa Sali Berishën në bulevard demokratët dhe fronti opozitar u mblodhën poshtë zyrës së shefit të qeverisë ku protestuan për afro tre orë. 9 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, krijimi i një qeverie teknike pa kryeministër Edi Ramën ishte edhe kushti i panegociueshëm i demokratëve, mesazh të cilin zgjodhi ta japë përmes një videomesazhi nga shtëpia e tij lideri historik i demokratëve.
“Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm i çmenduri mund ta imagjinoj se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera. Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, tha Berisha.
11 korrikun e cilësoi besëlidhje duke ftuar edhe ata që Sali Berishën nuk e njohin si kryetar.
“Kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë”, shtoi Berisha.
Edhe në këtë protestë nuk munguan molotovët e flakadanët, të cilët protestuesit i hodhën teksa Berisha mbante fjalën e tij.
Pas fjalimeve politike në bulevard, protesta u zhvendos përpara Bashkisë së Tiranës, aty ku nuk pati vetëm molotov, por edhe përplasje fizike. Organizatorët e protestës i drejtuan mbështetësit e tyre drejt parlamentit ku aksioni mungoi, ndërsa njoftuan se tubimi i radhës do jetë të enjten në orën 11:00.
Tv Klan