Opozita duhet të hyjë në parlament brenda datës 6 mars, në të kundërt rrezikohet integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane.

Deklarata është bërë gjatë mesditës nga ambasadori spanjoll në Tiranë, Emanuel Montobbio, vendi i të cilit ka dhe presidencën e radhës në BE.

Këtë deklaratë z.Montobbio e bëri gjatë një takimi që ka zhvilluar me të gjithë ambasadorët e vendeve të unionit në kuadër të bisedimeve konkrete, që kanë nisur në presidencë mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Emanuel Montobbio: “Mesazhi ynë është shumë i qartë. Perspektiva Evropiane për Shqipërinë është në rrezik në këto momente historike, nëse nuk ndërmerren veprime, hapat e mëtejshme mund të kenë pasoja. Ky ngërç politik duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar. Procesi i dialogut është pozitiv, por duhet të prodhojë rezultate. Rezultatet duhet të vijnë në kohën e duhur, ndaj kjo marrëveshje duhet të arrihet para 6 marsit, duke lejuar opozitën të shkojë në kuvend”.

Z.Montobbio  u ndal dhe te ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar, ku mesa duket qëndrimet e palëve konvergojnë në një pikë, atë të respektimit të Kushtetutës dhe Projekt Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Emanuel Montobbio: “Kjo do të mundësojë mandatimin e një komisioni hetimor, që kënaq partitë lidhur me transparencën dhe kushtetutshmërinë,kjo e propozuar edhe nga Presidenti i Republikës, i cili po drejton procesin dhe që është pikë referimi për zgjidhjen nga lidershipi shqiptar”.

Helmut Lohan: “BE nuk jep në tavolinë propozime konkrete. I takon liderëve shqiptar të gjejnë zgjidhje, rreziqet janë të larta, shumë shumë të larta, prandaj kam besim që udhëheqësit shqiptar do të gjejnë një rrugëdalje nga situata. Kam besim që liderët politikë nuk do të anashkalojnë mundësinë e krijuar nga nisma e Presidentit për tavolinën e rrumbullakët”./tvklan.al