Bashkëshortja e Aleks Markut, 40-vjeçarit i cili mori peng dy fëmijët e mitur në një banesë të marrë me qira, pranon se burri e dhunonte herë pas here psikologjikisht.

Bardha Marku në një prononcim për mediat tha se kohët e fundit situata ishte bërë e rrezikshme saqë u detyrua të bënte edhe denoncim në polici.  

“Jo jo vetëm psikologjikisht se fizikisht jo. Kishim frikë se duke dëgjuar lajme, çdo ditë lajme… dhe nga frika kam ikur i kam bërë denoncime se kam thënë do ndodhë ndonjë gjë ndonjë ditë.”

32-vjeçarja shpjegon se burri i saj, kohët e fundit konsumonte alkool dhe lëndë të ndryshme, të cilat ajo nuk i njeh.

“Kohët e fundit nuk pinte gjëra kshu dhe e kishim frikë. Në sytë tanë nuk e ka konsumuar kurrë, kështu s’di gjë. Edhe mund ta ketë konsumuar se nervoz ishte.”

Gruaja deklaron se gjatë javës së fundit ajo kishte shkuar në Itali me miratimin e burrit, atje ku kanë jetuar më parë, për të tërhequr dokumentet në shkollën e fëmijëve.

Në Itali kam shkuar se kam pasur të gjitha dokumentet e fëmijëve ngaqë i kam pasur fëmijët në Itali. Vaksinat m’u deshën tek shkolla e Durrësit sepse m’i kërkonin djalit të vogël. Ngaqë djali vogël i ka pas bërë vaksinat në Itali dhe nuk më dilnin në e-albania. Edhe për këtë edhe për takimin me avokatin dje.”

Aleks dhe Bardha Marku se bashku me dy fëmijët e mitur të moshës 6 dhe 11 vjeç prej dy javësh ishin kthyer nga emigrimi dhe kishin vendosur të jetonin në Durrës.

Klan News