Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona të cilët akuzohen se kanë marrë peng dhe kanë dhunuar një 22-vjeçar.
Sipas asaj që njofton Policia tre të arrestuarit, konkretisht Arjan.Ç, Agim.Ç dhe Erind.K kanë marrë me forcë në makinë të riun dhe e kanë dhunuar për motive të dobëta.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit A. Ç., 41 vjeç, A. Ç., 38 vjeç, dhe E. K., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/25, i Kodit Penal. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë forcërisht në automjet, një 22-vjeçar, dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij, për motive të dobëta.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë sipas asaj që raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj vëllezërit Arjan.Ç dhe Agim.Ç në bashkëpunim me të afërmin e tyre Erind.K e kanë marrë peng në një lokal në Tiranë 22-vjeçarin, e kanë futur në makinë dhe e kanë rrahur e dhunuar në Shëngjergj të Tiranës.
Policia dyshon se i riu është dhunuar për shkak se ka pasur lidhje me vajzën e Arjan.Ç dhe ata nuk kanë qenë dakord. I riu është goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi mori informacion Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të liroj të riun dhe arrestoj 3 autorët.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë./tvklan.al