Për rreth 3 orë opozita dhe protestuesit e saj bllokuan 6 segmente rrugore në vend për atë që PD e ka cilësuar mosbindje civile. Qarkullimi i mjeteve u paralizuan në sheshin Shqiponja në Tiranë, në kryqëzimin e Bradasheshit në Elbasan, në kryqëzimin e Rrogozhinës, në Sukth, në Levan dhe Milot.

Protestuesit bllokuan rrugën me mjetet e tyre në kthesën e Kamzës dhe në dy krahët e autostradës Tiranë – Elbasan. Policia qëndroi në gatishmëri duke mos ndërhyrë. Pas rreth 2 orësh policia kërkoi që të hapej segmenti nga sheshi Shqiponja në drejtim të kthesës së Kamzës për të zhbllokuar trafikun. Përfaqësuesit e PD e cilësuan provokim prezencën e policisë duke u bërë thirrje të largohen.

Disa deputetë të PD tentuan të shtyjnë forcat e policisë. Goditje ndaj uniformave blu pati edhe nga protestuesit. Pranë Kasharit forcat e policisë rrugore orientuan mjetet të kalonin në rrugën dytësore apo atë drejt Paskuqanit. Në çdo rast protestuesit i hapën rrugën autoambulancave.

Rreth orës 20:00, atëherë kur përfundonte leja, protesta në Tiranë u mbyll. Paralelisht me Tiranën tensione pati edhe në kryqëzimin e Bradasheshit, ku protestuesit u përplasën me policinë. Policia u bëri thirrje me megafon protestuesve, të lironin rrugën duke u kujtuar që kjo është vepër penale.

Por drejtuesit demokratë deklaruan se nuk i frikësohen policisë. Pas rreth 2 orë e 30 minutash protesta u mbyll në Bradashesh dhe rruga u hap për mjetet. Në Levan u bllokua rrethrrotullimi drejt Tepelenës, ndërsa rruga drejt Fierit dhe Vlorës u la e lirë nga protestuesit.

Protestuesit bllokuan pranë Shkozetit të dy anët e autostradës Durrës-Tiranë. Në krye të kësaj proteste ishte Edi Paloka, i cili bëri të ditur se nuk ka arsye për agresivitet. Një tjetër kryqëzim i bllokuar ishte dhe ai në Rrogozhinë. Herë pas herë drejtuesit e policisë u kërkuan protestuesve të lironin rrugën.

Në Milot, pati protestues që edhe u shtrinë në rrugë duke bllokuar një mjet zjarrfikës. Rruga nacionale nuk u bllokuar vetëm nga makinat. Thirrja kryesore e mbështetësve të opozitës në protesta ishte lirimi i Sali Berishës dhe Ervin Salianjit si dhe krijimi i qeverisë teknike.

Klan News