Përmirësimi i motit dhe shkrirja e dëborës, rënë një ditë më parë në disa rajone të vendit, nuk ka shmangur problemet e qarkullimit në disa akse rrugore, ndërkohë që shumë komuna në veri dhe juglindje vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Rruga që lidh Kukësin me Kosovën është e kalueshme, por në Qafën e Malit kalimi rekomandohet vetëm me zinxhirë. Në këtë zonë të izoluara mbeten komunat, Zapot, Arrën, Bushtricë dhe Lekbibaj në Tropojë.
Edhe në aksin Peshkopi-Bulqizë mund të kalohet vetëm me zinxhirë, për shkak të ngricave në disa segmente. Të bllokuara janë komunat e Selishtës dhe Kalasë së Dodës.
Rajoni i Korçës, i cili ka patur sasinë më të madhe të reshjeve të dëborës në 48 orët e fundit, ka qenë i kalueshëm në të gjitha akset nacionale.
Hedhja e skorieve dhe puna e borëpastruesve ka bërë që qarkullimi i automjeteve të normalizohet që në orët e para të mëngjesit.
Problematike është aksi Korçë-Kapshticë si pasojë e ngricave të krijuara gjatë natës, ndërkohë që e bllokuar mbetet që prej dy ditësh rruga që të çon drejt zonës turistike të Dardhës.
Edhe në aksin Tiranë-Elbasan dëbora ka shkrirë tërësisht, por për shkak të ngricave policia ka shtuar patrullimet përgjatë gjithë rrugës.
Në Gjirokastër vështirësi janë hasur në Qafën e Muzinës, ndërsa superstrada Gjirokastër-Kakavijë është e kalueshme dhe pa probleme.
Meteorologët thonë se moti i keq dhe temperaturat nën zero gradë celsius do të vijojnë edhe ditët në vazhdim.
Kujdes më i madh kërkohet nga drejtuesit e automjeteve sidomos në udhëtimet gjatë natës për shkak të ngricave dhe rrëshqitjeve në rrugë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle