Durrësi dhe qytete të tjera janë përmbytur nga shiu i dendur, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë të gjithë vendin. Shtëpi banimi, dyqane, sheshe dhe rrugët u mbuluan nga uji që në disa raste i ka kaluar të 50 cm.
Në lagjen 14 në Shkozet sasia e reshjeve që depërtoi në brendësi të shtëpive fundosi objekte, orendi dhe gjithçka gjeti përpara.
Zona të tjera të përmbytura ka qenë ajo e Spitallës, Plazhit, kryqëzimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave dhe Shkollës së Mjeshtërisë Sportive
Autoritetet portuale pezulluan përkohësisht ankorimet dhe lundrimin e anijeve të tonazhit të mesëm dhe të ulët, ndërkohë u ndërprenë edhe ngarkim-shkarkimet e mallrave.
Uji që mbuloi gjatësinë e rrugës nga rrethrrotullimi i Bubullimës deri në kthesën e Mbrostarit e bëri të pakalueshme përreth dy orë autostradën Lushnjë-Fier.
Policia e Qarkullimit rrugor vendosi blloqe betoni duke devijuar kalimin e mjeteve nga aksi i vjetër i Kolonjës. Kaotike ka qenë situata edhe në qytetin e Lushnjës, me rrugë dhe lagje të përmbytura
Në Shëngjin rruga që lidh këtë qytet me superstradën Lezhë-Laç u bllokua tërësisht që në orët e para të ditës.
Të izoluar mbeten disa banorë nga te dyja anët e rrugës, ndërkohë që kalimi I automjeteve është bërë nga një rrugë provizore.
Në Vlorë shiu përmbyti rreth mesditës të gjitha rrugët. Në aksin Vlorë-Skelë shumë automjete u bllokuan duke qëndruar të fikura për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Vërshimi i ujërave krijoi probleme në lagjen Pavarësia dhe zona të tjera të qytetit.
Shkodër
Fryrja e kanaleve kulluese ka bërë që 15 ha tokë bujqësore të përmbyten në Bushat dhe Velipojë.12 familje në fshatin Kryebushat janë te bllokuara që prej dy ditësh pa dalje në rrugën kryesore
“Dy herë në javë me ra shi kështu bëhet, e gjithë kjo punë vjen behet vetëm prej kanalit që nuk pastrohet.”
Moti i paqëndrueshëm ka shkaktuar përmbytje të mëdha edhe në qytetin e Fierit , Elbasanit e Beratit./tvklan.al