Moti i keq që ka mbërthyer vendin 48 orët e fundit, përveç temperaturave të  ulëta ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Edhe pse të gjitha akset nacionale janë të kalueshme dhe nuk ka rrugë të bllokuara, në disa segmente është rekomanduar që të tregohet kujdes për shkak të lagështirës së krijuar nga reshjet e shiut dhe të dëborës.

 Në akset Kukës-Qafmali dhe Kukës-Peshkopi  borëpastrueset kanë hequr sasinë reshjeve prej 10 centimetër të rënë që prej së shtunës, ndërkohë që është hedhur skorje dhe kripë për të evituar rrëshqitjet e makinave. Akset rrugore me Kosovën janë të hapura. Problematike mbetet edhe rruga e Thethit, por që aktualisht është e kalueshme. Në juglindje vështirësi  ka në akset Korçë-Ersekë në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, në Qafë-Thanë në aksin Pogradec-Tiranë.

Vëmendje nga drejtuesit e automjeteve kërkohet edhe në akset Librazhd-Peshkopi dhe Elbasan Tiranë në të cilat ka pasur ngrica për shkak te temperaturave te ulëta. Të bllokuara mbeten komunat e Steblevës dhe Rrajcës në malësinë e Librazhdit, ku trashësia e dëborës ka arritur ne 30 cm./tvklan.al