Shtabet e emergjencës në veri të vendit kanë kaluar në gatishmëri, pas përkeqësimit të motit dhe intensifikimit të reshjeve të dëborës, e cila në shumë rajone ka arritur në më shumë se një metër.

Mbrëmjen e djeshme një vargan makinash që po ktheheshin nga Kosova u bllokuan për më shumë se 4 orë në Qafë Mali të Kukësit. Mes udhëtarëve ishte dhe një autobus me nxënës të cilët morën pjesë në festimet për një vjetorin e pavarësisë.

U desh ndërhyrja e policisë e forcave të tjera të emergjencës që situata të normalizohej. Njëri prej udhëtarëve ka rrëfyer në linjë telefonike për Tv Klan momentet e vështira deri në zhbollkimin nga dëbora.

Fadil Smalji: “Ne rreth orës 20:30 kemi mbërritur në Qafë Mali, një grup automjetesh do me thënë ku përfshiheshin rreth 30-40 automjete. Rruga për shkak të reshjeve të borës ishte e bllokuar. Aty ka patur shumë pasagjerë dhe udhëtar, me tjerë ishte edhe një autobus me nxënësit e shkollave të Pukës dhe të Mirditës, por forcat e policisë u përqendruan pikërisht për nxjerrjen e atij automjeti , atij autobusi nga bllokimi. Ata u zhbllokuan dhe u nisën menjëherë drejt Fushë Arrësit dhe gjithë pasagjerët kanë kaluar probleme.”

Më problematike paraqitet situata në qarkun e Shkodrës, ku stuhia e dëborës ka thyer pemë dhe ka nxjerrë jashtë funksioni fidrat ajror të tensionit të mesëm, duke lënë pa energji të gjithë zonën. Dëbora ka arritur deri në 1 m, duke bërë që komuna të tëra të mbeten të bllokuara.

E njëjta situatë është edhe në Peshkopi, ku sasia e dëborës ka ndërprerë komunikimin me zonat e thella. Reshje dëbore ka patur edhe gjatë paradites në qytetin e Durrësit, një ngjarje e rrallë kjo për qytetin bregdetar./tvklan.al