Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka marrë vendimin që t’ia ndalojë hyrjen në territorin e Kosovës drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç-it.

Mediat në Kosovë kanë cituar zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës të kenë konfirmuar ndalesën për Marko Gjuriç, por nuk kanë dhënë hollësi të tjera.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka kërkuar leje hyrjen për vizitë në veriun e Kosovës, për ditën e hënë, por ajo iu refuzua nga Ministria e Jashtme.

Gjuriç është ndaluar nga Policia e Kosovës, pak ditë më parë në Graçanicë, 5 kilometra në jug të Prishtinës, por u lirua pas ndërmjetësimeve. Zyrtarët në Prishtinë thanë se Gjuriç ka shpërdoruar vizitën “duke bërë deklarata politike”, sado që atij i është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.

Ndalesa për Marko Gjuriç përputhet me ndalimin në vendkalimin kufitar në Konçul të Serbisë, të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë për veprën penale të, siç thonë autoritetet gjyqësore serbe, “terrorizmit”.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë në Nish, Thaçit i është vënë masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Autoritetet në Prishtinë, megjithatë, nuk e kanë ndërlidhur ndalimin e Gjuriç-it me arrestimin e Thaçit.(REL)/tvklan.al