20 Qershor 2024 u konfirmua divorci i bujshëm i Ilir Metës me Monika Kryemadhin. Në deklarimet e tyre të mëhershme, motivi kryesor ishin qasjet e ndryshme në politikë. Megjithatë historia e tyre nis që prej vitit 1993.


Sot një ditë pas arrestimit të Metës, deputetja Kryemadhi nuk ngurron të ndajë ndjesitë e saj edhe pse siç u shpreh ajo nuk kanë pasur asnjë komunikim në 7 muajt e fundit.

 “Të jem e sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën, por divorcin nuk e kam menduar kurrë. Unë e kam dashur dhe e dua Ilir Metën, s’ka rëndësi se çfarë bën Ilir Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë kjo që jam. Për të qenë vetvetja, më ka lënë gjithmonë të lirë, e drejtpërdrejtë… Edhe impulsive, edhe pse me kosto. Por kur një gjë mbaron, mbaron! Nuk e mban dot me zor!”

E pyetur se a ekziston një mundësi rikthimi për të dy, ajo nuk dha një përgjigje konkrete. Shtoi se prioriteti i saj janë fëmijët.

“Nuk është çështje te rikthimi, por te ajo se si ti ndihesh. Ju jeni shumë të rinj për ta kuptuar këtë gjë, por prioritetet e një gruaje si puna ime janë fëmijët. Ndoshta në një moshë më të re do ta vrisja veten për Ilir Metën si Romeo me Julietën, por tani e vras veten vetëm për fëmijët e mi. Unë pavarësisht të gjithë gjërave, Ilir Meta është politikan serioz, patriot”, tha Kryemadhi.

E.D/tvklan.al