Sipas pedagoges Iris Luarasi, lista e PD për drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet 2025 ka si mangësi  kryesore mungesën e përfshirjes së grave. Luarasi përmendi  në “Opinion” në Tv Klan disa emra të grave në radhët e PD që ajo vlerëson si Jorida Tabaku apo Jozefina Topalli që mendon se do të menaxhonin shumë mirë dhe do të motivonin edhe votueset.

Kjo solli një replikë nga gazetari Armand Shkullaku i cili tha se në realitet, pjesëmarrja e grave nuk do të bënte dot asgjë përballë  grupeve kriminale dhe vjedhjes së votave.

Iris Luarasi: Mangësia e parë është gratë, edhe kjo ka lidhje drejtpërsëdrejti me motivimin e grave votuese se një nga arsyet që i vendos gratë, jo vetëm që janë menaxhere shumë të mira sesa burrat,  por edhe nga pikëpamja që ti motivon pjesën e votuesve. Me këtë listë ti nuk motivon asnjë grua që të vijë të votojë se thonë çë’është kjo listë nga fillimi deri në fund vetëm me burra, pse u sosën gratë e PD…

Armand Shkullaku: Kur kemi gratë e Ramës pse të votojmë burrat e PD?

Iris Luarasi: Tani për hir të së vërtetës gratë që janë në Partinë Socialiste dhe ato që ishin aty, super menaxhere.

Armand Shkullaku: Kjo bën diferencën.

Iris Luarasi: Ne po  flasim për menaxhere në politikë. Ti nuk njeh asnjë grua në PD që do të ishte e aftë për ta bërë këtë gjë?

Armand Shkullaku: Unë njoh shumë gra, por ndryshe nga ty unë njoh realitetin dhe e di që thashë Kamala Harrisin të çosh në Shkodër nuk ka ç’u bën Pëllumb Gjokave e Bajrave. Të flasësh për pjesëmarrjen e grave në një vend ku vidhen votat e masakrohen, është të flasësh për seksin e engjëjve. Këtu po vidhen votat. S’ka grup kriminal që nuk vjedh votat. Garanto zgjedhjet e lira që të dalin dhe gratë.

Iris Luarasi: Gratë dhe burrat janë njësoj në shoqëri.

Armand Shkullaku: Me të vërtetë? Jo, jo s’ma merr mendja.

Iris Luarasi: Kjo nuk do të thotë që ti duke çuar aty vetëm burra, ke garantuar ekipin e fitores.

Armand Shkullaku: Seriozisht janë njësoj?

Iris Luarasi: Patjetër që janë njësoj.

Armand Shkullaku: S’e dija. Nard Ndoka e ka thënë këtë Fevzi.

Iris Luarasi: Bajrat kanë qenë Në Shkodër, nuk e di se kush janë. Në Shkodër historikisht ka fituar PD,  po flasim për 30 vjetët e fundit në demokraci. Në 2023 për herë të parë fiton PS. Po të ishte historia që u shesim njerëzve humbjet e ardhshme duke përmendur emra që  nuk e di se çfarë përfaqësojnë, por duke thënë Bajrat, tani nuk mendoj që Bajrat kanë shkuar në Shkodër në 2023, mendoj që këta Bajrat kanë qenë në Shkodër gjithmonë. Këta Bajrat kanë qenë në Shkodër atje dhe ka fituar sistematikisht PD. Nuk erdhën në 2023 këta Bajrat dhe fitoi PS.

Armand Shkullaku: Relativizimi i krimit është gjëja më e tmerrshme.

Pa vijuar replikën, Luarasi vijoi mendimin e saj lidhur me situatën duke shprehur paqartësi për lëvizjen e Luçiano Boçit nga Elbasani në Shkodër, vlerësoi Ivi Kason e Enno Bozdon dhe tha se Gazment Bardhi do ta ketë të vështirë në Fier.

Belind Këlliçi sqaroi se sa i përket mungesës së grave në listë, ka qenë një debat që është bërë edhe brenda partisë, por përgjigjja ishte se:

“Nuk mund të përdorim zonjat tona për fasadë, çka do të thotë nëse ti ke përballë një makineri elektorale që është elektorale krimi, nëse ke banda patjetër që do të çosh njerëz që do të përballen dhëmbë për dhëmbë me banda, krimin e organizuar dhe grupet kriminale”, përfundoi ai duke rënë dakord edhe me mendimin e Shkullakut./tvklan.al