Kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e radhës në Ligën e Kombeve kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë për shkak të një dëmtimi.
Mbrojtësi kuqezi pësoi një lëndim në ndeshjen e Ligës së Kampioneve Shakhtar Donetsk-Atalanta, ku edhe shënoi gol dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë. Ai kishte marrë një goditje në ijë, që pas testeve të kryera rezultoi serioz.
Lojtari 31-vjeçar nuk ishte i grumbulluar me bergamaskët edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoas. Stafi mjekësor i përfaqësueses shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe në fund u vendos që Gjimshiti të mos rrezikojë, në mënyrë që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës.
Lista përfundimtare e përfaqësueses është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin një tjetër futbollist në mungesë të Gjimshitit.
Gjimshiti është një nga titullarët e padiskutueshëm të përfaqësueses kuqezi. Ai në total me ekipin kombëtar numëron 60 takime, ku ka shënuar edhe 1 gol. Në këtë sezon, në Serie A ai ka luajtur në 6 takime, ku në total është aktivizuar në 540 minuta. Në dy takime në Ligën e Kampioneve, ai ka qenë në fushë për 135 minuta.
Klan News